Një gol i Jorginho i ka dhënë fitoren Chelseat në transfertën e Goodison Park ndaj Everton, në aktin e parë të kampionatit (0-1).

Në minutën e 24-të, vendasit do tregoheshin mjaft të rrezikshëm me James Tarkowski, por portieri Mendy do shpëtonte skuadrën nga një gol i sigurtë.

Episodi më i rëndësishëm i takimit do vinte në shtesën e pjesës së parë. Abdoulaye Doucoure i Everton pengon një kundërshtar në zonë dhe për arbitrin Craig Paëson nuk ka dyshime, drejton gishtin nga pika e penalltisë.

Blutë e Londrës do i besonin si zakonisht Jorginho. Italo-braziliani dërgon topin në njërin krah, ndërsa Pickford hidhet në krahun tjetër.

Musafirët morën epërsinë me meritë, me 45 minutat e para që folën vetëm për ta.

Chelsea shkoi në dhomat e zhveshjes në avantazh dhe u fut edhe më e motivuar në pjesën e dytë.

Pati minuta edhe për Armando Brojën. Sulmuesi e nisi nga stoli sfidën, por u aktivizua në të 74-tën, kur mori vendin e Havertz.

Djemtë e Tuchel patën rast ideal në fund me Sterling për golin e qetësisë, por një mbrojtës rival i gjendur aty largon topin në momentin e fundit.

Takim i radhës për Chelsean është në derbi ndaj Tottenham, ndërsa Everton luan në Birmingham ndaj Aston Villa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: