Juventus ndalet sërish, këtë herë në një barazim 1-1 në transfertë përballë Lazio. C.Ronaldo nuk mjafton, i vetëm ylli portugez i ka të pamundur të mbajë “gjalle” “Zonjën e Vjetër”, varësia që kanë krijuar bardhezinjtë ndaj tij është jashtëzakonisht e madhe. Me të në fushë kampionët në fuqi kanë një marsh më shumë, në kryeqytet zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë, kaluan në avantazh në minutën e 15-të me CR7 që u shërbye në zonë në mënyrë perfekte nga Cuadrado. Ronaldo ishte i pafat në minutën e 43-të teksa goditi dhe shtyllën.

Një përplasje me Luis Alberto në minutën e 76-të detyroi Ronaldo të braktiste fushën, fjalët e tij, “ndjeva kaviljen të më rrotullohej” shqetësojnë shumë stafin e Juves. Në pritje të përgjigjeve përfundimtare trajneri Andrea Pirlo mban frymën, në një kohë kur as Dybala nuk është në formën e tij më të mirë, nuk do të grumbullohet me ekipin përfaqësues. Lazio besoi deri në fund dhe në minutën e 95-të, Caicedo me një veprim të bukur në zonë arriti të barazoj shifrat duke i dhuruar bardhekaltërve një pikë të artë. Pas javës së 7-të, Juve e sheh veten minus katër pikë nga Milani kryesues.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb