Pasi ka kaluar gjysmën e jetës së tij në burg ku ka shlyer edhe dënimin për vrasje Abas Bërhani mendonte se i kishte mbyllur hesapet me drejtësinë, por nuk ndodhi kështu. Mëngjesin e 30 qershorit në derën e banesës së tij mësynë 7 policë të OFL për të kërkuar vetëdeklarimin e pasurisë së tij. Për Bërhanin kjo sjellje e policisë ishte e pa vend dhe më shumë se sa mbledhjen e parave të krimit kjo nxit konflikte.

“Kam bërë 31 vite burg. Në kohën e Partisë së Punës, 13 vite por dhe në kohën e demokracisë, 18 vite e 4 muaj. Sot akuzohem se kam pasuri të madhe. Nëse këta duan që të shtyjnë njerëzit me u vra, ata se dinë se ca kam folur unë me hasmin. Duan të më fusin në vëllavrasje. 6-7 policë erdhën në shtëpi dhe bënë terror. Çfarë kam bërë unë që të më bëjnë terror?!Duhet të më bëjnë kërkesë e isha paraqitur në polici. S’jam kriminel lufte.”,- tha ai.

Abas Bërhani tashmë jeton në një banesë me qira, pagesën e të cilës ia mundëson bashkia e Krujës pasi shtëpia e trashëguar nga familja i ka dalë e pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. “Shtëpinë e kanë nxjerrë të pabanueshme. Kanë ardhur disa komisione dhe ashtu e kanë nxjerrë. Bashkia më ka paguar bonusin, dhe më kanë thënë se kur të nisë lëvrimi i fondit do të nisë dhe për ty”,- pohoi ai.

Prej muajsh Abas Berhani është me sytë nga televizori për të parë se kur do të lëvrohet fondi për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, por e gjeti emrin e tij të listuar në listën e bosave të krimit për të deklaruar pasurinë. Brenda afatit të kërkuar ai çoi pranë OFL listën e pasurive të tij, një shtëpi e shkatërruar, një makinë dhe pagën si roje.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: