Shumëkush ka dëgjuar për një rajon të quajtur “Nagorno-Karabak”. Ndodhet në zemër të Azerbajxhanit, brenda kufijve të shtetit, në Kaukazin Jugor. Karabaku për 2-3 shekujt e fundit ka qenë mollë sherri mes armeneve dhe azereve. Kjo ka ardhur si pasoje e pranisë se popullsisë armene brenda një pjese të këtij territori që Armenia në fillim te shekullit XX e ka pretenduar si pjesë të sajën. Nga ana tjetër dhe Azerbajxhani e ka mbrojtur territorin vazhdimisht si pjese të sajën. Situata u përkeqësua në fund të viteve 80-të kur armenet brenda Azerbajxhanit filluan lëvizjet separatiste, të cilat Azerbajxhani u përpoq t’i ndalonte dhe kështu filloi lufta e parë armeno-azere, e nxitur fillimisht nga armenet, e cila përfundoi me fitoren e Armenisë e mbështetur ushtarakisht nga Rusia. Armenia pushtoi gjithë rajonin e Karabakut, dhe zonat përreth pavarësisht se rajoni është njohur si pjesë e territorit të Azerbajxhanit. Territori i pushtuar prej armenëve nuk u njoh kurrë nga bashkësia ndërkombëtare, pasi ishte pjesë e Azerbajxhanit. Me shpërbërjen e Ish Bashkimit Sovjetik paqja u duk e largët, lufta u egërsua në 1992 kur armenët në Karabak shpallën pavarësinë, kjo pavarësi nuk u pranua kurrë nga Azerbajxhani. Rreth 750.000 azere u dëbuan me forcë ose u larguan si pasojë e bombardimeve dhe operacioneve ushtarake armene nga ish territori i Nagorno-Karabak dhe i zonave përreth dhe më shumë se 250.000 azerë u kthyen në refugjatë nga Armenia.

Në fund armenët i larguan forcat azere nga Karabaku, gjithçka përfundoi në armëpushimin e vitit 1994. Por armëpushimi nuk u respektua përgjatë viteve që kaluan. Rajoni Karabak është njohur nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare si pjesë e pandashme e territorit të republikës së Azerbajxhanit. Të katërta rezolutat ndërkombëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Parlamentit Europian dhe organizmat e tjerë e konsiderojë kontrollin armen qartazi si okupim. Nëse i hedhim një sy rrënjëve historiko-gjeopolitike të konfliktit azero-armen, shikojmë histori të përgjakur, gjurmë të thella urrejtjeje, kërcënimesh e vrasjesh.

Gjatë konfliktit 44-ditor ne 2020, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe mbi 300 vendbanime dhe fshatra që ishin të pushtuara nga Armenia për gati 30 vjet. Para kësaj, rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ishte nën okupim të paligjshëm. Luftimet përfunduan me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia më 10 nëntor 2020, e cila u pa si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë. Sipas autoriteteve zyrtare te Bakusë, konflikti në ish Nagorno Karabak ka përfunduar. Azerbajxhani ka rimarrë territorin duke siguruar integritetin e plotë territorial të tij. Sot ky territor është pjesërisht nën kontrollin e forcave paqëruajtësve ruse. Federata Ruse dhe Turqia, po luajnë rol ndërmjetësues në këtë konflikt bazuar në integritetin territorial të dy vendeve Armenisë dhe Azerbajxhanit. Rusia përfaqësohet me kontingjentin paqëruajtës të saj. Në Agdam, një qendër e përbashkët monitoruese ruso-turke, observon non stop armëpushimin në ish zonën e konfliktit në Krabak Konflikti i përgjakshëm i vitit 2020 ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit në Karabak jo vetëm ndryshoi hartën por mesa duket edhe fjalorin gjeopolitik.

Para një viti, presidenti i Azerbajxhanit Aliev përmes një dekreti vendosi që fjala “Nagorno” nuk do të përmendej më, tashmë rajoni do të quhej vetëm “Karabak”. Aliev premtoi se do ta transformonte Karabakun në parajsë. Për të parë nga afër pasojat e freskëta të konfliktit por edhe historinë e trazuar ndër dekada si dhe gjithë procesin e rindërtimit, ekipi i News 24 vizitoi përgjatë katër ditëve nga afër rajonin e çliruar të Karabakut me 7 distrikte dhe bisedoi me përfaqësuesit specialë të dërguar nga presidenti azer Aliev. Procesi i rindërtimit këtu po ecën me ritme mahnitëse. Rrugë, ura, hekurudha, aeroporte janë në ndërtim e sipër… Udhëtuam së bashku me një grup gazetarësh nga Kazakistani nëpër territore të minuara, nëpër fshatra e qytete fantazmë që qeveria e Azerbajxhanit prej një viti e gjysmë po u jap jetë. News 24 është i pari televizion shqiptar që futet për të raportuar në territorin e çliruar të Karabakut, ku vizitoi nga afër zonën e post konfliktit.

Shoqëruesit tanë na ka kanë porositur disa herë gjatë rrugës të mos shkëputemi për asnjë motiv e për asnjë moment nga grupi për të xhiruar larg vëmendjes së tyre, këtu toka është e minuar! Ndalesa e parë është Fizuli, një ndër frontet e luftës më të përgjakshme të luftës mes armenëve dhe azerbajxhanasve. Pasaportat tona kontrollohen me imtësi ndërsa ushtarët presin që komandanti i tyre të konfirmojë kalimin për të parë nga afër procesin e çminimit. “Jemi në chek in e parë ku ushtarët janë duke kontrolluar për identitet tona. Ne Karabak vijon procesi i çminimet nga qindra mijëra minat e fshehura nga Armenët. Autoritetet në Baku thonë se vetëm 25% e hartave të minave të fshehura nga armenët kanë vendndodhje të sakta”.

ANAMA, agjencia kombëtare e Azerbajxhanit për Pastrimin e Minave dhe njësitë e fortifikimit të Forcave të Armatosura të Azerbajxhanit janë në distriktin Fizuli duke punuar intensivisht në garë më kohën. Përgjegjësi i grupit të ANAMA-s, Habil Babayev thotë se janë pastruar 230.000 metra katrorë territor kanë mbetur vetëm 92.800 metra katrorë. Shtegu që ne kaluam po vijon të pastrohet nga minat për t’i hapur shteg ndërtimit të rrugës automobilistike. “Kemi pastruar një kilometër të rrugës, sapo ua kemi dorëzuar ndërtuesve. Po punojmë duke pastruar kilometrin tjetër. Ky territor ka qenë i pushtuar nga armenët, deri më sot ne kemi pastruar 949 mina kundra personit dhe 857 mina anti tank. Për shkak të terrenit jemi ndarë në dy grupe, për 15 ditë ne do e pastrojmë tërësisht territorin nga minat. Ne kemi parë hartat që na dorëzuan armenët, ishin totalisht të padobishme, nuk i konsiderojmë fare si dokumente serioze prandaj po e pastrojmë banë Karabakut. Shkëputemi për të parë nga afër pasojat e konfliktit mes armenëve dhe azerbajxhanasve, rrugës vëmë re mijëra shtëpi të braktisura e të shkretuara ndër vite…

Rreth 750.000 azerë u dëbuan me forcë ose u larguan si pasojë e bombardimeve dhe operacioneve ushtarake armene nga territori i ish Nagorno-Karabakut dhe zonave përreth.

Ne udhëtim na shoqëron Araz Imanov, këshilltar i përfaqësuesit special i presidentit azer Alijev, ndalemi për të parë një xhami mbi 100 vjeçare në hyrje të distriktit të Fizulit në Karabak. Armenët e kishin vandalizuar si shumë xhami të tjera duke e kthyer në një stallë bagëtish. Qeveria e kanë lënë të paprekur për tu treguar vizitorëve atë që armenët kanë bërë me objektet fetare. Edhe Imanov nuk e ka të lehtë të flasë menjëherë, pamjet janë shokuese për të. “Po është e vështirë të ta shpjegoj se çfarë ndiej kur shikoj monumentet tona historike dhe fetare, të shkatërruara në Karabak. Ja kjo xhami e shekullit të XX është përdoruar si stallë kafshësh. Fatkeqësisht të gjitha monumentet religjiozë të Karabakut janë shkatërruar plotësisht ose janë përdoruar si stalla përgjatë 30 viteve. Këtë xhami po e mbajmë të paprekur për të treguar jo vetëm atë që ka ndodhur ne Fizuli por në gjithë rajonin, kjo është shkalla e vandalizimit dhe shkatërrimit. Pjesa tjetër e xhamive po restaurohen por jo vetëm xhami, kisha, dhe manastire gjithashtu po i nënshtrohen restaurimit”,- tha për ‘News 24’ Araz Imanov këshilltar i përfaqësuesit special i presidentit azer Aliev.

Pranë xhamisë, ndodhet një varrezë shekullore. Armenët kanë grabitën mermerin e varreve të azerbajxhanasve për të ndërtuar shkallë nëpër banesa. Arsyeja? Poshtërimi dhe nënshtrimi i azerëve thotë Imanov. “Shumica e varreve janë shkatërruar përgjatë 30 viteve pushtim nga armenët, mermerin e grabitur e kanë përdorur për të ndërtuar shkallë nëpër shtëpi, që të poshtëronin azerët. I bënte të lumtur fakti që shkelnin mbi ne, u kanë marrë dhe dhembët flori kufomave. Varret janë mbi 100-vjeçare, edhe gurët nuk shërbenin për ndërtim, ja një shembull i vogël se çfarë na ka ndodhur ne në Karabak”,- tha per News 24 Araz Imanov këshilltar i përfaqësuesit special i presidentit azer Aliev. Nga xhamia dhe varrezat zhvendosemi në qendër të qytetit të Fizulit. Tre dekada më parë gjallonte nga mijëra banorë, qyteti kishte qendër të kulturës, shtëpi botuese, madje edhe gazetarë.

Ndalesa e radhës “Aeroporti Ndërkombëtar i Fizulit”. Drejtori Zaur Gasimov thotë se aeroporti i ndërtuar në kohë rekord i denjë për tu futur në librin Guinness është me standarde ndërkombëtare mund të mbajë 8 avionë në pistë dhe u shërben 200 pasagjerëve në orë. Fluturimet e fundit ndërkombëtare ishin nga Turqia dhe Irani. Ky aeroport është porta e Karabakut për botën, qeveria ka në plan të ndërtojë edhe dy aeroporte të tjerë, të Zangilanit dhe Laçinit, si pjesë e planit për rindërtimin e Karabakut. “Ashtu siç presidenti ynë ka thënë, aeroporti ndërkombëtar i Fizulit është porta e botës për në Karabak, është një mundësi e mirë për fqinjët të nisin bashkëpunimin më rajonin tonë”, u shpreh Zaur Gasimov, drejtor i “Aeroportit Ndërkombëtar te Fizulit”. Për destinacionin e radhës duhet të përshkruanim një rrugë të gjatë përgjatë kufirit me Iranin. Zangilan është një fshat pilot i ndërtuar për një vit e gjysmë që ka përqafuar konceptin e ri të zhvillimit si “Fshat inteligjent”. Azerbajxhani po përgatitet të rivendosë dhe të popullojë me qindra mijëra qytetarë zonat e çliruara nga lufta e vitit 2020.

Në këtë fshat siç na shpjegon dhe Akbar Abbasov drejtor i qendrës së inovacionit agrar pranë ministrisë së agrikulturës, komuniteti do përdorë teknologjitë më të fundit si digjitalizimin, automatizimin dhe energjinë e rinovueshme, agrikulturën inovative për të maksimizuar zhvillimin ekonomik. Bujqësia do bazohet në “teknologji moderne dhe menaxhim të përbashkët”. “Kemi marrë eksperiencat më të mira nëpër botë për të ndërtuar fshatin inteligjent, koncepti ynë ngrihet në pesë themele kryesore. Ndërtimi është bërë me rrënojat e tre fshatrave përreth që ishin shkatërruar nga armenët, i shikoni gurët ku i kemi vendosur. Inovacioni që ne kemi është i tillë, të dhënat do mblidhen nga inteligjenca artificiale, sot kemi 200 shtëpi në këtë fshat, të tjera do ndërtohen, të gjithë do ketë pajisje teknologjike dhe të dhënat do analizohen me detaje. Autoritetet lokale do përpunojnë këto të dhëna. Banorët do kenë të gjitha shërbimet në këtë fshat…fjala e fundit e teknologjisë”, – u shpreh Akbar Abbasov, drejtori i inovacionit agrar pranw ministrisw sw agrokulturës.

Pas 8 pikave të kontrollit, të cilat nuk u lejuam kategorikisht t’i filmonim, pamë edhe ushtarë rusë me mandat paqeruajtësi në vijën e kontaktit mes ish Nagorno-Karabakut dhe Armenisë në korridorin Laçjan. Të armatosur rëndë, ruanin vigjilentë rrugën ku kalojnë armenët.
Destinacioni i radhës ishte Shusha! xhevahiri më i çmuar i fitores së Azerbajxhanit.Viti 2022 është shpallur “Viti i Shushës” si kryeqyteti i kulturës së Azerbajxhanit nga presidenti azer Aliev.

Shusha që në gjuhën azere do të thotë xham, sepse është shëruese dhe e pastër si kristali është ndërtuar 270 vjet më parë në lartësinë 1400 metra mbi nivelin e detit, është djep i muzikës dhe poezisë së vendit. Në 1830, shkolla e parë në Azerbajxhan u hap këtu .Qyteti ishte gjithashtu i pari që hapi bibliotekat publike dhe gjithashtu kishte një shtypshkronjë të vogël. Në vitin 1848 u vu në skenë shfaqja e parë teatrale. Shusha e ka merituar prej një kohe të gjatë dhe denjësisht reputacionin si “Konservatori i Kaukazit”.Por lufta e la Shushën me infrastrukturë tërësisht të shkatërruar, përfshirë blloqe apartamentesh, objekte kulti, ndërtesa historike dhe kulturore.

Pas 28 vitesh pushtim nga forcat armene, më 8 nëntor 2020, qyteti i Shushes u çlirua përfundimisht. 8 nëntori është “Zafer gunu”, dita e fitores! “Sot, pas dekadash shkatërrimi dhe grabitjesh por dhe bombardimeve të fundit nga armenet, qyteti i Shushës po i nënshtrohet rindërtimit dhe restaurimit të përgjithshëm, duke përfshirë trashëgiminë e tij historike dhe kulturore. Flasim me një zonjë që e shikoj të përlotur rastësisht në fortesën 270 vjeçare të qytetit të saporestauruar, 68-vjeçarja Sevill është rikthyer për të parë shtëpinë e saj pas 30 viteve pushtim. “Kam ardhur për të parë shtëpinë time, ja në këtë moshë erdha për të parë Shushën time, jam shumë e lumtur dhe e mocionuar që arrita këtë ditë. Zoti ruajtë presidentin tonë, popullin tonë, ushtrinë tonë, dëshmorëve tanë u dhëntë paqen e merituar”.

Pas dekadash shkatërrimi dhe grabitjesh nën pushtimin armen, qyteti i Shushës po i nënshtrohet rindërtimit dhe restaurimit përfshire edhe kishat e vjetra. Synohet bashkëjetesa e popullatës, me qasje moderniste, pa bërë diferencime në përkatësitë fetare në Azerbajxhan, të gjitha monumentet dhe vendet fetare i përkasin njëlloj trashëgimisë multikulturore të Azerbajxhanit.
Plani i qeverise është për të rivendosur personat e dëbuar në shtëpitë dhe në tokat e tyre nga ku u detyruan të dëbohen dhunshëm.
Sot në Shusha jetojnë 4000 persona, ku përfshihet punonjës ndërtimi dhe personeli i administratës, kuriozitet është fakti që sot në Shusha jetojnë dhe punojnë vetëm 25 gra dhe vajza. Vizituam disa nga muzete e restauruara të kompozitorëve dhe poetëve … si shtëpinë muze të Bylylit, zërit me te famshëm azerbajxhanas ne botë.

Monumente arkitekturore, si Pallati Khan, burimi i vajzës së Mbretit, mazoleumi i poetit dhe burrit të shtetit Molla Vakif janë restauruar nga rrënimi, por ende shohim shenja të luftimeve nëpër objektet e trashëgimisë kulturore. Radhen per restaurim e ka shtëpia muze e kompozitorit Uzeyir Hajibeyli, Xhamia Govhar – aga..lista e objekteve kulturore dhe religjoze që presin te restaurohen është e gjatë…

Udhëtimin e vijojmë drejt qytetit Ganxha. Tetori i vitit 2020 do mbahet mend gjate ne memorien e banoreve te Ganxhes, dikur kryeqytet i Azerbajxhanit. Nuk e ka te lehte të harroje atë natë edhe babai i dy fëmijëve, Saimiri kur pranë banesës së tij në Parkun e Fitores, armenët sulmuan me raketa “Tochka-U, “Smerch”, “Scud”..fëmijët e tij mbetën të plagosur. Qyteti Ganxha ndodhet jashtë rajonit të Karabakut por kjo nuk e ndaloi aspak ushtrinë armene të sulmonte me raketa banesat e civilëve ku nuk kishte asnjë objekt ushtarak.
“Unë jetoj këtu afër, ishte ora 2 e natës po shikoja televizor në shtrat, na goditën me raketa, ishte e tmerrshme. Zhurma ishte e llahtarshme, dëgjova tre raketa që na goditën këtu pranë, unë kam dy fëmijë që mu plagosën. Ne nuk ikëm pas sulmeve në Ganxha, ushtria e Azerbajxhanit ua dha përgjigjen mirë armenëve, nëse kjo përsëritet unë do luftoj, gjithë Ganxha, gjithë Azerbajxhani do luftojë me armikun”,-u shpreh 41 vjetari.

Qytetarë të pafajshëm që të nesërmen do zgjoheshin për të shkuar në punë ndërsa fëmijët në kopshte e shkolla mbetën të vdekur nga artileria e rëndë e forcave armene. Lodrat prej pelushi të vogëlushëve që humben jetën ende qëndrojnë prane shtëpive te shkatërruara si dëshmi e mizorisë së luftës. “Ne tetor 2020 Armenet goditën me raketa këtë zonë në qytetin e Ganxhës qytetin e dytë më të madh të Azerbajxhanit. 26 persona vdiqën përfshirë 6 fëmijë dhe 142 u plagosën. Objektivi i armenëve ishin banesat e civilëve.
“Pasi armenët pësuan humbje në kufi, ata nisën që të shënjestrojnë dhe të gjuajnë banesat e civilëve, shumë kilometra larg kufirit. Ata na sulmuan me raketa tip “Tochka-U, “Smerch”, “Scud” . Qëllimi ishte të përhapnin frikë dhe panik në radhët e qytetarëve por nuk ja arritën, sot ne jemi më të bashkuar” , tha Azer Ibrahimov kryebashkiaku i qytetit të Ganxhes.

Sot detyrat e qeverisë se Azerbajxhanit janë të qarta, çmilitarizim tërësisht i territoreve të pushtuar më herët nga armenët, rindërtim i Karabakut të rimarrë, bashkëpunim ekonomik rajonal, ndërtimi i besimit me fqinjët armenë përmes lidhjeve të ngushta ekonomike dhe mos të diskutohet më për statusin e ardhshëm të Karabakut. Sot, shumëkush mendon se gur themeli për të ardhmen duhet të jetë bashkëjetesa mes armeneve dhe azerëve brenda territorit të dy shteteve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: