Kastrioti nuk është më një surprizë. Krutanët mposhtën për të dytën herë Tiranën, sërish 1-0 dhe tashmë hedhin kandidaturën për një vend në Evropë. Bardheblutë nuk mundeshin prej 8 ndeshjeve, por ishte pikërisht Kastrioti, që ashtu si në fazën e tretë, e theu.

 

 

Ishte Onanuga që kaloi në avantazh krutanët në minutën e 16-të. Nigeriani futet bukur brenda zonës dhe godet saktë duke mposhtur portierin Bekaj. Goli i parë sezonal për futbollistin, por me shumë vlerë. Tirana shtyn festën e titullit, ndërsa Kastrioti jo vetëm që mbijeton, por sheh për më tej.

Teuta merr tri pikë të arta ndaj Dinamos në transfertë dhe vijon duelin për t’i shmangur play-out-it pas fitores 0-1. Rubin Hebaj tregohet i vëmendshëm ndaj një gabimi të Simonit në 56’ dhe vetëm për vetëm me portierin e Dinamos, sulmuesi nuk fal dhe gjen avantazhin për durrsakët, që do të ishte vendimtar.

Triumfon edhe Egnatia në Korçë ndaj Skënderbeut 0-1. Golin e fitores e shënoi Demir Imeri në 53’ me një goditje dënimi spektakolare, ku topi ndalet pas krahëve të Rexhepit. Skënderbeu dhe Dinamo tashmë janë nisur drejt Kategorisë së Parë, mbetet për t’u zgjidhur play-out.

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb