Situata me zjarrfikëset dhe mjetet e tyre është e rëndë. Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimin e kryer në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për periudhën Shtator 2020 deri më Tetor 2021 evidenton se edhe pse shumica e bashkive kanë zjarrfikëse të cilat janë në gjendje pune, disa prej tyre janë tejet të vjetëruara. Mjetet në disa raste rezultojnë të viteve 60.

“Niveli qendror dhe lokal nuk ka burimet njerëzore dhe teknike të mjaftueshme për reagim ndaj situatave emergjente/zjarret. Nga 152 zjarrfikëse që ka në 55 bashki, 131 janë në gjendje pune, 8 me defekte të vogla, 3 me defekte të konsiderueshme, 10 jashtë përdorimit dhe 36 të pa targuara. Shumë nga zjarrfikëset në dispozicion janë të vjetruara (disa që datojnë nga vitet gjashtëdhjetë), janë në gjendje të keqe dhe nuk janë të ndërveprueshme sepse janë dhuruar nga vende të ndryshme”.

Audituesit kanë konstatuar gjithashtu se në pjesën më të madhe të bashkive mungojnë veshjet mbrojtëse të punonjësve të zjarrfikësve dhe pajisjet e tyre për shuarjen e zjarreve.

“Në repartet zjarrfikëse të bashkive dhe njësive administrative mungojnë veshjet mbrojtëse personale si: Kostume anti zjarr, kundragaz, çizme kundra zjarrit, doreza kundra zjarrit dhe pajisjet e domosdoshme për shuarjen e zjarreve, Pompa shpine, pompa fikse me pluhur , pompa thithëse dhe pompa të ndryshme”.

Ne periudhën audituese 1-vjeçare KLSH ka konstatuar se mungojnë 3 nga 4 helikopterët e forcave ajrore që përdoren për rastet shuarjen e zjarreve nga ajri.

“Konkretisht Ministria e Mbrojtjes nga 4 helikopter gjithsej që ka për emergjencat civile ka në gjendje operacionale vetëm një helikopter të gatshëm, i cili është përdorur gjatë operacioneve të shuarjes së zjarreve të rëna në vendin tonë gjatë verës së këtij viti”.

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se ligji “Për mbrojtjen civile” i miratuar në vitin 2019 është ende i paplotësuar me aktet ligjore të nevojshme ndërkohë që nuk ka një dokument strategjik mbi emergjencat pasi ai në fuqi është i vitit 2004.

  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb