Policia kolumbiane ka shkatërruar një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku mes të arrestuarve është edhe një shqiptar. Mediet e huaja raportojnë se ka rënë në pranga “bosi” shqiptar i kokainës, Agim Çerma, i njohur me pseudonimin “Jimmy”, së bashku me katër bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë aksionit për arrestimin e tij, policia ka zbuluar dhe sekuestruar një sasi prej 333 kg kokainë dhe 2 miliardë pesos, që kapin vlerën e rreth 450 mijë eurove.

Gjithashtu, mediet kolumbiane kanë publikuar pamjet si lëvizte shqiptari në Kolumbi duke u kamufluar se po shiste produkte kozmetike. Grupi kriminal u godit nga DEA. I njohur si “Jimmy”, trafikanti nga Lushnja, u vendos në pranga brenda shtëpisë së tij në qytetin Palmira.

Sipas autoriteteve kolumbiane, trafikanti shqiptar ishte në krye të veprimtarisë kriminale dhe bashkëpunonte me grupet më të rrezikshme të Kolumbisë.
Çerma merrte paratë nga Europa për blerjen e kokainës dhe më pas garantonte dërgimin e drogës me avionë charter në SHBA, por edhe Europë, në Bullgari ,nga fluturimet përmes aeroporteve ndërkombëtare.

Për trafikun e kokainës ata përdornin edhe portet detare kolumbiane, ku droga fshihej në kontenierët e mallrave.

Mediat kolumbiane shkruajnë se shqiptari bashkëpunonte me “Clan del Golfo” (kartel kolumbian i drogës) në rajonin e Urabá dhe me “FARC” (Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë) në pjesën jugperëndimore të vendit për të blerë kokainë dhe për ta transportuar, ndërsa kishin korruptuar kontrollorët ajrorë të trafikut për të lëvizur të qetë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb