GJIROKASTËR

“BalkanWeb” zbardh detaje të reja nga aksidenti tragjik i ndodhur këtë pasdite në aksin Sarandë-Gjirokastër.

Gazetarja Brikena Metaj raporton për “BalkanWeb” se janë konfirmuar pesë viktima nga aksidenti tragjik, ku shkak mendohet se ka qenë shpejtësia dhe rruga e lagur nga reshjet e rëna këtë pasdite.

Gazetarja Metaj sjell në redaksinë e “BalkanWeb” edhe pamje nga vendngjarja, ndërsa thekson se ka qenë një furgon i linjës Tiranë-Sarandë, që ka dalë nga rruga dhe ka rënë në greminë. Siç raporton gazetarja, është e vështirë nxjerrja e viktimave dhe pasagjerëve të tjerë të bllokuar, pasi mjeti është i përmbysur.

Në vendngjarje kanë mbërritur policia dhe tre ambulanca, të cilat po punojnë për nxjerrjen e viktimave dhe pasagjerëve të bllokuar, teksa terreni është shumë i thyer dhe vështirëson edhe më tej punën e tyre.

Gjirokastër/Informacion paraprak.

Njoftohemi se rreth orës 15:30, në rugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, në vendin e quajtur Muzinë, mjeti tip “Land Rover” me drejtuese shtetasen R. Ç. është përplasur me mjetin tip furgon me drejtues shtetasin B. P.

Si pasojë e përplasjes mjeti tip furgon ka dal nga rruga dhe ka përfunduar disa metra poshtë rrugës.

Për pasojë kanë humbur jetën 4 shtetas, të cilët ndodheshin në mjetin tip furgon.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Informacion shtes:

Në vijim të informacionit paraprak për aksidentin ku u përplasën mjetet tip “Land Rover” me mjetin tip furgon dhe si pasojë humbën jetën 4 shtetas, ju informojmë se ka ndërruar jet dhe një shtetas tjetër i cili ishte pasagjer i mjetit tip furgon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb