KORCE– Të kursesh është një mënyrë e mirë për t’i dhënë vetes mundësi më të mëdha për të bërë blerje të nevojshme në një kohë të caktuar, të cilat nuk do të mund t’i përballonim me një pagë të vetme. Por jo të gjithë jemi të mirë në të kursyer, sidomos kur nuk bëhet fjalë për të ardhura të mira.

E megjithatë duket se disa persona ia dalin më së miri të kursejnë mjaftueshëm, edhe nga punë modeste që kryejnë. Pas rastit të bërë publik një ditë më parë për një emigrant shqiptar në Itali, i cili kishte arritur të kursente plot 1 775 euro nga puna si kamarier, një tjetër rast edhe më i veçantë vjen nga Korça.

Një i ri, i cili merret me shpërndarjen e miellit me furgon nëpër furra dhe banesa, ka arritur që të kursejë 1 mln e 999 mijë lekë të vjetra brenda një viti.

Duke marrë parasysh mundësitë për të kursyer nga puna që bën ky i ri korçar, ia vlen të thuhet se është goxha arritje.

Ajo çka e bën edhe më të veçantë këtë rast, është vendi “unik” dhe tejet origjinal që ai kishte zgjedhur për të futur paratë e kursyera. Për gati një vit, ai i vendosi këto para në gomën e makinës, dhe vetëm ditën e sotme ka vendosur ta çajë atë dhe të shohë shumë e kursyer të parave, mes të cilave kishte dhe euro.

Iniciativa e këtij të riu për të kursyer çdo ditë nga pak, mund të jetë një model për të gjithë ata që nuk duan të shpenzojnë kot, pavarësisht nga niveli i të ardhurave.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: