Drejtuesit e automjeteve që detyrohen të kalojnë nga dogana e Hanit të Hotit thonë se përballen me policë që pranojnë ryshfet për t’i favorizuar, duke i lejuar të kalojnë pa radhë. Në një video të dërguar në faqen ‘Jeta osh Qef’, duket se si polici fut paratë në xhep dhe më pas i lejon automjetet të kalojnë.

Në pamje duket i njëjti polic në dy raste, që thuhet se janë filmuar dje dhe sot në Han të Hotit. Sipas denoncuesve, polici në Han të Hotit nuk pranonte monedhë tjetër, veç Euro-ve.

PEZULLOHET INSPEKTORI
Pas publikimit të videos, është identifikuar inspektori i policisë që merrte ryshfet në doganë. Mësohet se ai quhet Muhabet Toka dhe është pezulluar nga detyra.
“Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra inspektorin Muhamet Toka, efektiv në SPKM Hani i Hotit, për shkelje të rënda të detyrës pas publikimit të pamjeve në mediat online ku shfaqet duke marrë para në këmbim të favorizimit të mjeteve për të kaluar pa radhë. Drejtoria e Standarteve Profesionale ka nisur verifikimet për rastin dhe ka filluar ecurinë disiplinore për përjashtim nga Policia e Shtetit për shkelje të rënda të “Kodit të Etikës” dhe “Korrupsion pasiv”. Ndërkohë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka nisur hetimin penal për këtë rast. “Policia e Shtetit gjen rastin të falenderojë edhe njëherë mediat dhe garanton se mbetet e vendosur të ndëshkojë çdo rast abuzimi me detyrën”, thuhet në njoftimin e policise.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb