TIRANË- Një natë e mbushur me surpriza dhe të ftuar specialë ka qenë darka festive e organizuar si çdo fundvit nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dedë Edmond Brahimaj.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve nuk harron asnjë fundvit të mbledhë së bashku gazetarët e mediave për t’i falënderuar për mbështetjen që ato i japin këtij komuniteti në pasqyrimin e kontributit të Kryegjyshatës për harmoninë fetare në Shqipëri.

Siç është bërë traditë tashmë, njerëz të medias, gazetarë dhe drejtues të saj janë mbledhur tek restorant “Piazza”. Në darkë ishte i ftuar Presidenti i Republikës, Ilir Meta si dhe Presidenti i “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu.

Urimi i Presidentit, i cili njihet për marrëdhënien e mirë që ka me komunitetin bektashi pasi është vetë i tillë, ishte për paqe e dashuri në shtëpitë e shqiptarëve.

Falënderojmë Kryegjyshin Botëror Baba Mondin për këtë vëmendje dhe këtë mikpritjeje medias. Bekimet e Baba Mondit për vitin 2018-të u dëgjofshin sëbashku me gjithë drejtuesit e tjerë që kemi ne këtu në Shqipëri. Gëzuar të gjithëve është kënaqësi, paqe, dashuri në familjet tuaja dhe të gjithë shqiptarëve”, tha Meta.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dedë Edmond Brahimaj i falenderoi të ftuarit dhe shprehu mirënjohjen e tij ndaj medias.

Ju uroj të gjithëve një natë të bukur, të mirë në këtë fundviti në këtë sofër bektashjane, e cila ka qenë gjithnjë sofër e dashurisë, paqes, mirësisë dhe afrimit me njëri-tjetrin, duke harruar mërzinë, duke harruar të këqijat dhe duke ofruar gjithnjë të mira dhe energji pozitive. Edhe kjo darkë ju uron paqe, mirësi dhe dashuri për vitin 2018-të”-, u shpreh ai

Sigurisht gjithë njerëzit e medias të mbledhur bashkë, nuk mund të mos e shndërronin mbrëmjen në një festë të vërtetë.

Vallet nga mbarë trevat shqiptare elektrizuan sallën. Atmosferës së krijuar nuk mundi t’i rezistonte dot as Kreu i Shtetit, Ilir Meta i cili mori shtruar një valle Jugu me drejtuesit dhe stafin e gazetarëve të News 24.

Gjatë darkës nuk munguan as batutat e Kreut të Shtetit kur mori disa dhurata simbolike, nëpërmjet një shorti, ku ai kishte numrin 1.

Faleminderit shumë qënke i papamë, të kishe qënë ti në KQZ do kishte qënë ndryshe historia e Shqipërisë”,- iu drejtua Presidenti, djalit që i dorëzoi dhuratën.

Në restorant “Piazza” gazetarët kanë shijuar gatimet bio nga mbarë vendi, si dhe mishin e qengjit nga mali i Tomorit të bekuar nga vetë Baba Mondi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb