Nga: Erjon SKENDAJ

TIRANE- Kush merr rrugën nga Tirana drejt Elbasanit përmes autostradës gjysmake duhet të hapë sytë mirë e të bëjë kujdes maksimal pasi në rrugën e vjetër në afërsi të Mushqetasë ekzistojnë disa gropa të thella në asfalt që në çdo moment mund të marrin jetë njerëzish.

Kjo situatë vazhdon prej vitesh aq sa thellësia e njërës prej gropave llogaritet në mbi 15 centimetra.
E të mendosh që kjo rrugë e vjetër duhet të përballojë fluksin e madh të automjeteve që sjell autostrada gjysmake Tiranë-Elbasan, e cila ka ngecur në Ibë që prej vitit 2014 pas rrëshqitjes masive të dherave në trasenë e re.

Gracka mbi asfalt i gjen shoferët në shumë raste të papërgatitur ndërsa më kot disa përpiqen të bëjnë manovra të rrezikshme mbi asfalt duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të pasagjereve.

Të habit fakti sesi punonjësit e ARRSH nuk i kanë parë këto gropa të frikshme në mes të rrugës në një kohë që ky segment i është nënshtruar para pak kohësh një arnimi të pjesës asfaltike të dëmtuar.
Pyetja që shtrohet është kush do mbajë përgjegjësi në rast aksidenti?
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb