Pas një debutimi zhgënjyes, “kura” Gattuso ka nisur të japë efekt te Napoli, që i jep fund serisë negative dhe mbyll me fitore vitin 2019 në Serie A. Skuadra napolitane mundi në transfertë 2-1 Sassuolo, ndërsa Elseid Hysaj luajti si zëvendësues në pjesën e dytë. Por deri te suksesi, miqtë do të vuanin epërsinë e të zotëve të shtëpisë, pas golit të Traore.

Me rikthimin në fushë pas pushimit Allan barazoi shifrat në të 57-ën. Fitorja e Napolit do të vendosej nga një autogol dramatik i Obiang vetëm në minutën e katërt shtesë. Me tri pikët e marra, skuadra e Gattuso ngjitet në vendin e tetë dhe kthehet në garën për zonën europiane. Një fundjavë turpëruese kaloi Milan, që u dorëzua pa kushte 5-0 në transfertën kundër Atalantës.

Një triumf i vërtetë për skuadrën bergamaske, që e kishte gjithçka të lehtë, duke nisur nga goli i epërsisë i shënuar nga Gomez që në minutën e 10-të. Kaq për pjesën e parë, ndërsa pas pushimit, të zotët e shtëpisë vulosën fitoren e madhe me katër gola të tjerë. Përballë një Milani të dorëzuar, në fillim Pasalic, dy herë Ilicic dhe në fund Muriel arshivuan triumfin e Atalantës që kthehet në garën për një vend në Champions. Ndërkohë, Milan konfirmon sezonin e dështuar dhe Europa mbetet larg kuqezinjve.

Sa i përket favoritëve për titullin kampion, Inter mbyll vitin në vendin e parë, pas fitores 4-0 kundër Genoa në sfidën e luajtur të shtunën.

Në zonën Champions, Roma vazhdon të rrisë kuotat e saj, sidomos pas fitores së madhe 1-4 në fushën e Fiorentinës.
(balkanëeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb