Shënjestër e atentatit të ndodhur në mbikalimin e Fushë-Krujës dyshohet të ketë qenë 22-vjeçari Brilant Martinaj, trupi i pajetë i të cilit së bashku me Arbër Hoxhën u shkrumbuan brenda automjetit me të cilin udhëtonin.

Brilant Martinaj është kushëriri i parë i Ervis Martinajt, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për porositjen e vrasjes së Endrit Dokles pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Po ashtu Brilanti rezulton në kërkim për vrasjen e efektivit të FNSH-ve Xhulio Prela në 5 nëntor të 2020-ës, por edhe një tjetër ish-efektivi të uniformave blu, 60-vjeçarit Xhelal Reçi.

Konflikti dy vite më parë me Xhuljo Prelën dyshohet se nisi pas një sherri për dritat e gjata të makinës, pasi Prela, i cili po kthehej nga fshati Kosmaç i Shkodrës ndaloi teksa autorët i sinjalizuan me drita dhe elektrik dore.

Duke menduar se ata mund të kishin nevojë për ndihmë, Prela ndaloi por u përball me plumbat nga një pistoletë TT e autorëve.

Prokuroria tha se nga analiza e qelizave telefonike, ishte provuar se në vendngjarje ndodhej edhe Brilant Martinaj.

Ndërkohë emisioni ‘Në shënjestër’ në ‘News24’ ka publikuar më 29 dhjetor 2021 një video ku shfaqet Brilant Martinaj, pak orë para vrasjes së policit Xhuliano Prela.

Video në fjalë është filmuar në zonën e Milotit në orën 01:55 në një karburant, ku Brilant Martinaj ndalet për të furnizuar automjetin më pas rezulton se ai ka udhëtuar në drejtim të fshatit Gajush, ku ka shkëmbyer dritat e gjata me policin. Pas një debati verbal, ai ka shkrepur armën, duke lënë të pajetë efektivin e policisë me 3 plumba.

Emri i Brilant Martinajt përmendet si një prej të dyshuarve edhe në vrasjen e bujshme të 1 nëntorit të vitit të shkuar në qytetin e Laçit, ku që në orët e para të mëngjesit, në afërsi të një banke iu bë atentat ish-policit 60-vjeçar Xhelal Reçi.

Nga vrasja e ish-policit Xhelal Reçi ka pasur disa vrasje që besohet se kanë qenë lidhje e Brilant Martinaj dhe kushëririt të tij të parë Ervis Martinaj.

Në gusht të vitit 2020, djali i Xhelal Recit, Besniku, ishte ai që i kishte shpëtuar një atentati të mirë organizuar teksa ishte duke udhëtuar në rrugën Lezhë-Shëngjin bashkë me dy fëmijët e mitur dhe bashkëshorten kur dy persona të armatosur me motor, e ndoqën dhe tentuan ta vrisnin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb