Kryendeshja e ditës luhej në Laç me kurbinasit që prisnin Kukësin pretendent. Ka qenë një ndeshje vërtet e luftuar që në fund ka parë të triumfojnë të zotët e shtëpisë, të cilët kanë siguruar një trepikësh me shumë vlera për zonën e Kupave të Europës, por nga ana tjetër i kanë dhënë një asist Tiranës, që rikthen epërsinë në +9 pikë dhe 6 javë nga fundi, kryeqytetasit e ndjejnë edhe më pranë titullin kampion.

Golin e parë e realizoi Regi Lushkja në të 35-ën pas një aksioni shumë të mirë në të djathtë të Deliut, që jep një pasim mjaft të saktë në qendër, aty ku Lushkja nuk fal duke kaluar Laçin në avantazh.

35′ Lushkja 1-0

Në pjesën e dytë Kukësi është më i orientuar drejt sulmit dhe ka një rast të mirë për të shënuar me Et’hemin, që gjuan jashtë i vetëm përballë Stazhillës në minutën e 62-të. Kukësi shpërdoron, Laçi jo. Minuta e 71-të dhe në zhvillimet e një këndoreje Selmani me kokë dyfishon duke siguruar fitoren për kurbinasit.

71′ Selmanani 2-0

Bylis dhe Skënderbeu kanë dhuruar emocione në një përballje të cilën mallakastriotët e kanë fituar në çastet e fundit. Ka qenë minuta e 93-të e ndeshjes, kur portieri Isli Hidi shndërron në gol penalltinë e fituar nga Peçi pas ndërhyrjes së Jashanicës. Kjo fitore bën që Bylisi të ngjitet në kuotën e 43 pikëve dhe t’i largohet zonës së play-out-it me 4 pikë, që mbahet nga Vllaznia.

94′ Hidi 1-0

Teuta ka mposhtur Luftëtarin e vendit të fundit dhe të rënë nga kategoria. Gjirokastritët kanë rezistuar për pjesën e parë, por janë dorëzuar në të dytën. Hebaj realizoi për epërsinë e bregdetarëve në të 51-ën, por Luftëtari reagon dhe barazon në të 57-ën.

51′ Hebaj 0-1

57′ Haxhiu 1-1

Të besuarit e Martinit nuk demoralizohen dhe rigjejnë golin vetëm 180 sekonda më pas me anë të Sherif Kallakut, ndërsa është sërish talenti i Teutës që në të 73-ëm shënon nga pika e bardhë e penalltisë golin tretë për durrsakët. Takimi do të mbyllet me shifrat 5-1 pasi Avdyli dhe sërish Kallaku do të shënojnëë për “manitan” e Teutës në këtë transfertë, që e ngjit ekipin e Edi Martinit në vendin e pestë në kuotën e 47 pikëve.

60′ Kallaku 1-2

73′ Kallaku 1-3

80′ Avdyli 1-4

88′ Kallaku 1-5

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb