Pushimet dimërore nuk i kanë bërë mirë Romës, që nis me një humbje në shtëpi vitin 2020 në Serie A. Skuadra verdhekuqe mbylli serinë pozitive, duke u dorëzuar përballë Torinos me shifrat 2-0. Njeriu i ndeshjes dhe heroi i miqve ishte Andre Belotti. Sulmuesi i kombëtares italiane ndryshoi rrjedhën e sfidës në shtesën e pjesës së parë, duke kthyer skuadrën e tij me epërsinë minimale në dhomat e zhveshjes.

Pas pushimit, të zotët e shtëpisë rritën presionin në kërkim të barazimit, por dështuan në të gjitha tentativat e tyre. Shpresat e Romës për të dalë me pikë nga “Olimpiko” u shuan katër minuta nga fundi i kohës së rregullt. Torino mori një 11-metërsh, ndërsa nga pika e bardhë, Belotti vulosi fitoren e miqve që ngjiten në vendin e nëntë të renditjes.

Nga ana tjetër, humbja ndalon ecurinë poztive të Romës në garën për një vend në Champions. Krejt e ndryshme është atmosfera në gjysmën tjetër të kryeqytetit italian me Lazio që i shtoi një tjetër fitore serisë rekord në këtë sezon. Suksesi 2-1 në fushën e Brescia mblindon lacialët në vendin e tretë dhe i zyrtarizon ata në garën për titullin në kampionatin italian.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: