Lazio rikthehet tek suksesi në Serie A, këtë e bën me një fitore të pastër 2-0 përballë Napoli duke iu afruar zonës Champions. Nuk kishte derbi shqiptarësh, as Strakosha e as Hysaj nuk u aktivizuan për asnjë minutë, sigurisht diskutimi është ndryshe kur bëhet fjalë për anësorin kuqezi i cili pritet të ndryshoj skuadër gjatë merkatos së janarit. Nëntë minuta lojë i mjaftuan kryeqytetasve të kalonin në avantazh, me Ciro Immobile që me kokë dërgoi topin në rrjetë. Ekipi i Gattuso u përpoq të reagojë, krijuan raste për shënim por Reina ishte thjeshtë i pakalueshëm. Në pjesën e dytë, në minutën e 56-të, Luis Alberto me një goditje të bukur nga jashtë zonës dyfishoj shifrat duke hipotekuar fitoren e Lazios.

Në përfundim të ndeshjes trajneri Inzaghi foli për këtë fitore të rëndësishme por u ndal edhe në një temë jo pak të diskutuar, në lidhje me titullarin në portë: “Reina po bën shumë mirë, në të njëjtën kohë Strakosha kaloi COVID-19 dhe nuk u stërvit për 20 ditë. Në rikthimin e tij mbase u nxitova, momenti i tij do të vij sërish, në këtë pikë do të ishte një padrejtësi të ul në stol Reina, për punën që po bën e meriton të jetë titullarë”, u shpreh trajneri i Lazios.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb