Një nënë nga Tirana ka mbi pesë vjet që po mundohet t’i kthejë dy fëmijët e saj nga Siria. Në vitin 2014, burri i saj mori vajzën dhe djalin dhe shkoi në Siri për të luftuar në krah të grupit ekstremist Shteti Islamik. Pas disa muajsh, ai u vra dhe fëmijët mbetën vetëm. Tek ta shkoi më pas gjyshja e tyre.

“Mori fëmijët e më tha do iki për në Mal të Zi, kur erdhi kunat më të ka lënë një letër që ka ikur për Siri. Unë jam një nënë e vuajtur që 5 vjet. Unë dhe fëmijët e mi. Ata edhe me babanë kanë ndenjur shumë pak. Ai u vra”, tregon Mide Dumane.

Më 27 janar 2014, buri i Mide Dumanit, Shkëlzeni mori dy fëmijët dhe iku për në Siri. Ai u vra pak muaj më vonë duke luftuar përkrah grupit militant Shteti Islamik. Vajza ishte 8 vjeç dhe djali 5 kur ata i mori babai i tyre dhe i dërgoi në zona të luftë. Në Siri ata tashmë kanë emra arabë. Të dy fëmijët kërkohen edhe nga Interpoli.

“Po si çdo nënë, siç thonë, ku rrinë fëmijët, të rrijë edhe nëna. Mendja gjithmonë është atje, pavarësisht që u bënë 5 vjet këtu. Ata që janë prindër mund ta besojnë këtë që më ka ndodhur mua. Tjetërkush nuk e beson. vajza është 14, çuni ka hyrë për 12, shumë të vegjël”, thotë me sytë me lot Midja.

Pasi u vra Shkëlzeni, nëna e tij tani mbi 70-vjeçare shkoi në Siri për t’u kujdesur për fëmijët. Ata jetojnë në kampin al-Hol në Siri.

“Të keni durim ju dhe ne. Kemi qëndruar që 6 vjet këtu në luftë, tani jemi rehatuar pak a shumë me ushqime me veshmbathje. Mos na e keni gajlen, kur të ikin të gjithë shqiptarët, edhe ne me shqiptarët bashkë”, thotë gjyshja e fëmijëve.

Daja i fëmijëve ka bërë shumë kërkesa ndaj autoriteteve shqiptare që t’i ndihmojnë në kthimin e mbesës dhe nipit. Mbesa i shkruan shpesh dajës së saj.

“Kemi mesazhe të pafund të vajzës që çdo ditë thotë ‘o daja, o daja, çka po bëhet? Kur po vjen shteti të na marrë? A po vjen ambasada të interesohet për ne?’. Kërkesa të tilla thotë. Kërkesa të tilla për t’u bashkuar me motrën, me mamin e vet edhe njëkohësisht edhe me ne, me fëmijët tanë. Të rriten bashkë. Janë lot të përditshëm këta, lot të përditshëm. Më ka rënë të udhëtoj edhe 200-300 km rrugë në ditë. meditoj, kujtoj fëmijët dhe lotoj rrugës pafundësisht. Derisa e ndiej veten të pafuqishëm për të ecur, hap krahun (ndalem), ngopem, vazhdoj rrugën”, thotë daja i fëmijëve duke qarë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Xhetan Ndregjoni fajëson institucionet që nuk e ndaluan ish-dhëndrin të shkonte në Siri. “A mund të kalosh me dy fëmijë 8 vjeç, 5 vjeç? Thjesht, 5 minuta u janë dashur institucioneve të vendit, vetëm 5 minuta. Ore, po të marrim një kontakt me nënën një herë, të marrim një kontakt me njerëzit e afërt. Për ku po rrugëtoni ju? Dy fëmijë të vegjël veç me babain. Thjesht rrëmbim, rrëmbim. Më shkurt muhabeti është rrëmbim. I ka rrëmbyer babai i vet”, thotë më tej daja i fëmijëve.

Para se të radikalizohej, Shkëlzeni ka punuar si instalues uji në Arabinë Saudite. Gruaja e tij thotë se burri filloi të radikalizohej pasi u kthye nga Arabia Saudite. Në letrën që kishte lënë ai thoshte se po ikte nga një vend jomysliman.

“’Kam ikur në një vend mysliman, dua që fëmijët t’i shkolloj në një vend mysliman’. Nuk ka shkruar tjetër gjë. Tani (vajza) më thotë ‘kur do të kthehemi o mami? Çfarë bën shteti? Duam të na ndihmoni’. Vetëm ndihmë kërkon, nuk kërkon tjetër gjë”, tregon nëna e dy fëmijëve.

Biseda me vajzën në telefon
Vajza: (Vëllai) është shumë mirë, mos u bëni merak, ama është në shtëpi se nuk mundet të vijë te gratë.

Mide Dumani e mbuluar me lot shikon librat e vajzës, e cila ishte në klasë të tretë kur e mori babai dhe e dërgoi në Siri. Ajo shpreson që edhe fëmijët e saj do të kthehen siç u kthyen disa fëmijë të Kosovës që ishin në Siri. Në prill të këtij viti Kosova ka riatdhesuar 110 persona nga zonat e luftës në Siri. Prej tyre 74 ishin fëmijë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb