Atalanta siguroi një pikë luksi përballë një superfuqie si Man.City, pika e parë në Champions League, një pikë që i mban në garë për të siguruar një biletë për në fazën me eliminim të drejtë për drejtë. Barazimi 1-1 kundër “qytetarëve” i rri ngushtë ekipit bergamask, pretendonin diçka më shumë, mbi të gjitha pas minutës së 81-të, ku Pep Guardiola u detyrua të aktivizonte në portë një mbrojtës si Walker pas daljes me karton të kuq të C.Bravos.

Sfida në “San Siro” nisi menjëherë me gol teksa Sterling kaloi City në avantazh që në minutën e 7-të. Ky takim mund të mbyllej në fundin e pjesës së parë nëse Gabriel Jesuz nuk do të gabonte nga pika e bardhë e penalltisë. Atalanta fitoi me shumë besim, kuptoi që City nuk është i paprekshëm, në minutën e 49-të u rikthyen në lojë me Pasalic i cili barazoi shifrat në 1-1. Italianët jo vetëm rezistuan por kishin mundësi të ndryshonin totalisht rrjedhën e këtij takimi pas minutës së 81-të ku Bravo u largua nga fusha e lojës me karton të kuq. Ekipi i Berat Gjimshitit spostoi City në gjysmëfushë por pa mundur të kalojnë Walker, fundi i ndeshjes ishte më të vërtetë i veçantë me mbrojtësin i cili u përpoq në çdo mënyrë për të mbajtur portën e paprekur.

Gjimshiti
Gjimshiti

Një 90-minutësh fantastik zhvilloi dhe qendërmbrojtësi i kombëtares, Berat Gjimshiti, një nga lojtarët më të vlerësuar nga mediat italiane: “Dominues në lojën në ajër, në një pikë të ndeshjes iu ngjit Mahrez duke mos e lëshuar më. I shkoi pranë dhe golit me një goditje me kokë, nota 7 për Gjimshitin”.

Pika e marrë përballë Man.City merr dhe më shumë vlera pas barazimit drastik 3-3 në ndeshjen tjetër të grupit C, D.Zagreb-Shaktar Donetsk. Kroatët kryesonin 2-1 deri në minutën e 93-të por dy gola në shtesë i dhuruan një pikë ekipit ukrainas duke lënë gjithçka të hapur në këtë grup i cili kryesohet nga Man.City në kuotën e 10-të pikëve.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb