Belgjika, kjo mbretëri e vogël, në veriperëndim të Evropës, me popullsi prej diçka më shumë se 11 milionë banorë, është kthyer në vitet e fundit në arenën e preferuar të përgjakshme të bandave shqiptare.

Viktima e fundit e breshërive të plumbave në Belgjikë është shqiptari Erion Hasanbelli. Ai u qëllua pas shpine me 6 plumba, mesditën e 11 qershorit 2022, ndërsa po qëndronte përballë një hoteli në bulevardin ‘Adolphe Maxlaan’ (Adolf Maxlan) që ndodhet në qendër të Brukselit.

Autor i ngjarjes ishte pikërisht Kasandër Noga, veprimtaria kriminale e të cilit nuk ka të shoq, por më pak e pasur është edhe ajo e Erion Hasanbellit, i cili dyshohet se është pjesëmarrës në disa vrasje, eliminime të cilat më pas u zhvendosën nga Shqipëria në Belgjikë, aty ku edhe bandat kriminale transferuan aktivitetin e tyre kryesisht në trafikun e drogërave të forta, por që siç e thamë edhe më herët, ky eksport i krimit nga Shqipëria në Belgjikë, do të shoqërohej me shqiptarë të shumtë të vrarë.

Një ndër ta do të ishte edhe Bledar Muça, i cili u qëllua në makinën e tij më 23 janar 2022, edhe ky në qytetin e Antwerpit (Antuerpit) në Belgjikë, qytet që është kthyer tashmë në varrmihësin e shqiptarëve që luftojnë për drogën.

Sipas të dhënave që disponon ‘Në Shënjestër’, përpara se të zhvendosej në Belgjikë, Bledar Muça ishte një eksponent i rrezikshëm i krimit në Shqipëri dhe kryesisht në qytetin e Elbasanit.

Ai konsiderohej si krahu i djathtë i Ardian Çapjas dhe nipit të tij, Florenc Çapja, ku ky i fundit sot ndodhet në Dubai, teksa vazhdon i qetë jetën e tij, kjo pasi Emiratet e Bashkuara Arabe refuzuan ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Ndërsa, xhaxhai i tij, Ardian Çapja, iu ka mbijetuar disa atentateve. I fundit është ai me snajper nga Kodra e Krastës në Elbasan, më 8 qershor 2020, ku u qëllua nga një distancë prej 400 metrash.

Çapja është konsideruar nga policia si kreu i një grupi që urdhëronte vrasje me pagesë dhe që sot ndodhet i arrestuar në paraburgim si i dyshuar se urdhëroi vrasjen e babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri, në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij, Sokol Çapja në vitin 2005.

Për t’u rikthyer te Bledar Muça, ky i fundit thuhet se më herët u kishte shpëtuar fillimisht dy atentateve në vitin 2016, bashkë me mikun e tij të ngushtë, Florenc Çapja, edhe ky i fundit një personazh i njohur i botës së krimit, i akuzuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda.

Sipas autoriteteve belge, ekzekutimi i Bledar Muçës mendohet se është bërë nga vrasës me pagesë dhe thuhet të jetë tradhtuar nga shtetas shqiptarë, kjo pasi ekzekutorët kishin dijeni të plotë për lëvizjet e tij.

Shkak i ekzekutimit mendohet te jetë bërë larja e hesapeve, ku Muça, si krahu i djathtë i Çapjave, ishte i përfshirë në shumë ngjarje kriminale në Elbasan.

Fillimisht, identifikimi i tij ishte i vështirë, pasi mediat belge raportuan në krye të herës se kishin të bënin me vrasjen e një shtetasi britanik, pasi vetë Muça përdorte gjatë lëvizjeve të tij një pasaportë britanike.

Duke iu kthyer CV-së së tij kriminale, 43-vjeçari nga Peshkopia, por që jetonte prej vitesh në Elbasan, thuhet se ishte i përfshirë edhe në vrasjen e biznesmenit Ilir Rexhepi, ngjarje kjo e ndodhur më 30 Dhjetor 2011.

Biznesmeni u ekzekutua me dy plumba, ndërsa fajtor u shpall Bledar Muça, i cili pas kësaj ngjarjeje u arratis në Greqia dhe më tej në drejtim të Belgjikës.

Po kështu, Muça ishte në kërkim edhe për sulmin me armë ndaj disa policëve në Elbasan. Ky ishte edhe momenti, siç shikohet edhe nga kjo foto e kapur nga kamerat e sigurisë, kur për herë të parë Bledar Muça shfaqet me portretin e tij të vërtetë.

Në vitin 2016, Bledar Muça u dënua me 2 vite burgim nga gjykata e Elbasanit për goditjen me armë të dy efektivëve të Grupit të Operacioneve Speciale në Policisë e Shtetit.

Goditje kjo që u krye, teksa këta të fundit po mbanin në vëzhgim situatën në lagjen e Çapjave në Elbasan. Por, atentati fatal në Antwerp (Antuerp) nuk do të ishte i pari dhe i vetmi ndaj Bledar Muçës. Në vitin 2016, ai ishte ulur në një tavolinë me pjesëtarë të fisit Çapja, në një bar në dalje të qytetit të Elbasanit, kur persona të armatosur hynë në lokal dhe vranë Agron Çapjan, Eno Bedallin dhe Ardit Sinakollin, atentat ku mbeti i plagosur edhe vetë Bledar Muça.

Dosja Hetimore:
“Bledar Muça dhe Florenc Çapja ishin shënjestër e një atentati me armë në Elbasan.
Në mes të ditës mbi makinën, me të cilën ata udhëtonin, u zbrazën plumba kallashnikovi.
Autori Shkëlzen Hasanpapaj, i veshur me uniformë ushtrie dhe që në dorë mbante një çantë kamuflazhi brenda së cilës kishte futur një automatik, qëlloi dhjetëra plumba mbi automjetin tip “Golf 5”, në të cilin udhëtonte Bledar Muça dhe Florenc Çapja.
Ata shpëtuan falë xhamit të blinduar të makinës, por edhe pse kishte një veprimtari të gjerë kriminale, Bledar Muça vazhdonte të ishte i lirë dhe të bënte ligjin në Elbasan”.

Madje sikundër e theksuam edhe duke sfiduar policinë, siç ishte edhe aksidentimi që i bëri gardianit Hekuran Pisha, në maj të vitit 2020.

Dosja Hetimore:
“Në Maj të vitit 2020, gardiani Hekuran Pisha po udhëtonte me motorin e tij, kur u përplas nga makina e Bledar Muçës”.

24 orë nga arrestimi, Muça u la sërish i lirë. Por, ndërsa 23 janari 2022 do të rezultonte fatal për Bledar Muçën, ai që do të hidhte dritë mbi aktivitetin e tij kriminal, do të ishte Nuredin Dumani. Killeri me pagesë, që pas hekurave të qelisë po rrëfen të gjitha ngjarjet kriminale të ndodhura, kryesisht në Elbasan, në dëshminë e tij përmend edhe Bledar Muçën dhe se si ky i fundit me urdhër të fisit Çapja, po përgatiste vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, ku dorasi që do të qëllonte mbi Sanxhaktarin do të ishte Nuredin Dumani.

Dëshmia e Nuredin Dumanit:
“Florenc Çapja, Vis Korçari, Bledar Muça dhe Eljo Bitri, më kërkuan që të godisja Sokol Sanxhaktarin për një shumë prej 200 000 euro, pasi ai ishte lidhje e Suel Çelës”.

Kjo dëshmi u forcua edhe nga miku i Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhaj. Edhe ky tashmë i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë.

Henrik Hoxhaj, bashkëpunëtor i drejtësisë:
“Në lidhje me Sokol Sanxhaktari unë kam biseduar me Nuredinin në kohën kur ishim tek shtëpia e tij para vrasjes së vëllezërve Haxhia.
Gjatë një bisede Nuredini më tha se kishte marrë një ofertë për vrasjen e Sokol Sanxhaktari që ishte dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini. E lamë për të takuar Bledar Muçën pasi Nuredini e kishte marrë porosinë prej tij. Takimi me Bledin nuk u realizua pasi u realizua vrasja e vëllezërve Haxhia”.

Sipas Henrik Hoxhaj edhe pse vrasja e Sokol Sanxhaktarit nuk u krye, Nuredin Dumani, kishte nisur ndërkohë përgatitjet për të parë lëvizjet e tij.

Henrik Hoxhaj, bashkëpunëtor i Drejtësisë:
“Në lidhje me përgatitjen për vrasjen e Sokolit, Nuredini kishte çuar njerëz për të marrë informacion mbi lëvizjet e tij dhe kishte mësuar se Sokoli dilte në mëngjes ose pasdite, i shoqëruar nga një person i armatosur, me makinë që të dy. Për ta takuar Bled Muçën do shkonim të dy kurse për ta bërë punën do ta bëja unë sepse nuk doja që lekët të ndaheshin me persona të tjerë. Ai që do të përdorej si shofer në vrasje do të ishte dhe informatori për lëvizjet e Sokolit. Unë do të merrja 150 000 euro ndërsa shoferi 50 000 euro. Kjo shumë më është thënë mua nga ana e Nuredinit. Nuk e di arsyen se përse do të kryhej vrasja. Unë nuk kam kryer asnjë takim me asnjë person përveç se me Nuredinin”.

Vrasja e Bledar Mucës vuri në alarm autoritetet belge, të cilat së fundmi kërkuan informacion përmes letërporosisë në Shqipëri. Krahas të tjerash, ata kërkuan të dhëna të skedës penale të viktimës.

Një tjetër vrasje e kryer në Belgjikë midis shqiptarësh është edhe ajo e Arjan Spahiut, i njohur me nofkën ‘Arjani i Vogël’, që konsiderohej si financier i grupit të drejtuar nga Erjon Alibej, i cili sot ndodhet pas hekurave të qelisë, dhe që thuhet se nisi një seri të gjatë hakmarrje pas ekzekutimit të vëllait të tij, Endrit Alibej, i vrarë në 2018 në atë që njihet si Masakra e Bradasheshit bashkë me xhaxhain e tij dhe një shtetas turk.

Sipas policisë belge, Arjan Spahiu u ekzekutua më 28 Nëntor 2020, me 8 plumba, në zonën e Molenbekut, në Bruksel. Ai thuhet se qëndronte ilegalisht në Belgjikë dhe ishte vëllai i kunatit të Erion Alibej.

38-vjeçari mësohet se ka qenë i arrestuar në vitin 2010 në lidhje me vrasjen e 52-vjeçarit Gëzim Alikaj në Elbasan, por më pas u la i lirë.

Sipas autoriteteve belge, dyshohet se vrasja e tij erdhi si larje hesapesh midis bandave shqiptare, ndërkohë që Alibej ndodhet i arrestuar nga Prokuroria e Posaçme, si person i dyshuar për urdhërimin dhe organizimin e dy vrasjeve, atë të Emiljano Ramazanit më 20 korrik 2020, pamje të cilat siç shikohet janë transmetuar ekskluzivisht edhe nga emisioni ‘Në shënjestër’.

Dhe atë të Regis Runaj, vetëm 9 ditë më pas, më 29 korrik 2020, në varrezat e qytetit të Elbasanit, ku edhe këtë herë për të zbardhur plotësisht këto ngjarje, por edhe shumë të tjera, u deshën edhe dëshmitë e Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, të cilët implikuan në këto ngjarje Arjan Spahiun, i cili sipas tyre ka rol edhe në vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt.

Dosja Hetimore:
“Nga deklarimet e Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhaj, të cilat janë në unison me njëra-tjetrën ka rezultuar se në vrasjen e shtetasve Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia në datën 02 Mars 2020, janë të përfshirë të hetuarit Arjan Spahiu (i vrarë në Belgjikë), Erjon Alibej, Eljo Bitri, Henrik Hoxhaj, Nuredin Dumani, Klevis Alla, Asllan Plaku”.

Lidhur me vrasjen e Emiljano Ramazanit, ndodhur në datën 20 Korrik 2020, Henrik Hoxhaj, thotë se ai ka qenë në rolin e ndihmësit në kryerjen e këtij krimi, si drejtues i automjetit tip Wolswagen që ka vajtur në vendin e ngjarjes dhe me të cilin janë larguar po nga vendi i ngjarjes.

Henrik Hoxhaj identifikon edhe ekzekutorin e krimit që është Skerdi Tasi. Gjithashtu, Henriku shpjegon se këtë vrasje e ka bërë me pagesë, pasi këtë ia ka kërkuar i dyshuari tjetër në krim Nuredin Dumani. Në lidhje me këtë vrasje, Nuredin Dumani ka shpjeguar se ka marrë porosi për vrasjen e shtetasit Emiljano Ramazani nga shtetasit Erion Alibej dhe Arjan Spahiu.

Një tjetër krim i rëndë, ku del sërish emri i Arjan Spahiut, është edhe ekzekutimi i Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela.
Dikur mik për kokë me Nuredin Dumanin, por që prishja e pazareve i ktheu në armiq të betuar.

Ngjarje kjo e ndodhur më 17 shtator 2020, në afërsi të vendit të quajtur rrethrrotullimi i Bradasheshit, në krahun e djathtë të rrugës Elbasan-Peqin, ku Dumani nxori edhe njëherë në skenë emrin e Arjan Spahiut dhe rolin e tij në këtë vrasje si financier i grupit të Alibej, të cilët e kishin porositur për një vrasje tjetër.

Por që Dumani tha para hetuesve se pasi Talo Çela i vrau shokun e tij Klevis Kapllani, ai ndërroi mendje dhe vendosi të vrasë vëllain e Talos.

Ekzekutim që i interesonte edhe Erion Alibej, i cili kësisoj do të merrte hak për vrasjen e vëllait, Endrit Alibej dhe familjarëve të tij, për të cilën akuzonte Talo Çelën.

Nuredin Dumani:
“Paratë mi ka sjellë Erjoni nëpërmjet një personi në Vorë ku unë kam nxjerrë Enverin dhe Besin ti marrin me sa mbaj mend. Pasi erdhën paratë unë dhe ua ndava të dyve. Unë nuk mbajta asgjë për vete. Të dyve u ranë nga 30 000 euro për kokë. Unë pastaj u largova për në Kosovë. Arjanit i kam shkruar për këtë ngjarje”.

Episodi i fundit, ku Nuredin Dumani përmend Arjan Spahiun si bashkëpunëtor në krim, është ai i vendosjes së një sasie eksplozivi në banesën e Talo Çelës, në Elbasan, ngjarje e ndodhur më 5 Nëntor 2020.

Nuredin Dumani:
“Një ngjarje tjetër për të cilën dua të jap shpjegime është rasti kur i kam vënë eksploziv shtëpisë së Talo Çelës. Këtë ngjarje e kam organizuar unë për llogari të Arjan Spahiut. Fillimisht kam siguruar një sasi lënde plasëse prej rreth 5 kg. Lëndën plasëse nuk jam i sigurt se ku e kam gjetur, por di se e kam blerë. Lëndën plasëse e kam marrë të përgatitur me sa mbaj mend tek kushëriri i Elio Bitrit për të cilin kam dhënë shpjegime më lart. Pasi sigurova lëndën plasëse kam biseduar me Henrik Hoxhajn (Rikun) të cilit i kam ofruar 15 000 euro që të bënte vendosjen e eksplozivit. Riku pranoi dhe di që e ka kryer vendosjen e eksplozivit së bashku me nipçen…. Faktikisht nga shpërthimi nuk u shemb e gjithë shtëpia. Riku me ka thënë se e kishte ngjitur eksplozivin në dy kollona të banesës së Talo Çelës. Në kohën që është vënë eksplozivi unë isha në Kosovë dhe me Rikun komunikoja në telefon me aplikacionin Sky. Pagesën ma ka dhënë Arjan Spahiu i cili më dha 20 000 Euro dhe gjithë shumën unë ja dhashë Rikut. Riku më ka thënë se paratë i ka marrë nga i njëjti person që i kishte marrë edhe në rastin e vrasjes së Emiljano Ramazanit. Unë u nxeha me Rikun duke i kërkuar llogari se përse nuk e kishte kryer punën tamam dhe ai e pranoi gabimin”.

Belgët dyshojnë se Arjan Spahiu u ekzekutua për shkak të larjes hesapeve mes grupeve kriminale.

Sipas dëshmisë së dhënë nga Erjon Alibej, ai po mblidhte të dhëna dhe dëshmi në lidhje me autorët e ekzekutimit të Endrit Alibej dhe dy personave të tjerë.

Dhe kishte arritur të siguronte informacion e të implikonte 3 vëllezërit Çopja me bazë në Dubai.

Por a janë këto ngjarje fundi i telenovelës së përgjakshme në aksin Shqipëri-Belgjikë?

Apo grupet janë tërhequr përkohësisht për t’u ridimensionuar pas eliminimeve të shumta midis tyre, në pritje për të marrë edhe njëherë pozitat e humbura, pas plagëve të shumta të hapura në betejën për sundimin e territoreve të sigurta në Evropë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb