Policia e Shtetit ka gjobitur 885 qytetarë në 48 orët e fundit për shkelje të masave antiCovid.

874 qytetarë u kapën gjatë fillimit të kësaj jave pa maskë, kurse 10 të tjerë pasi nuk respektuan orën policore pas 22:00 deri në 06:00.

Nuk ka shpëtuar edhe 1 subjekt që u dënua me gjobë 1 milion lekë për shkelje të protokollit të sigurisë.

 

NJOFTIMI NGA POLICIA

Policia e Shtetit
Ndëshkohen me masë administrative 885 shtetas që nuk zbatuan masat anticovid, gjatë 48 orëve të fundit.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 48 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 874 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 9 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 1 subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 10 qytetarë që lëviznin në rrugë gjatë orarit të ndalimit të lëvizjes, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.
Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, Policia apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat anticovid.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb