DIBËR

Është arrestuar autori i vrasjes së 23-vjeçarit Benard Tonuzi, vëllai i tij 26-vjeçar Florian Tonuzi. Ngjarja tragjike ndodhi një ditë më parë, në Maqellarë të Dibrës, ku vëllai i madh vrau të voglin, duke e goditur disa herë me thikë në oborrin e shtëpisë.

Ditën e sotme, gazetari Enver Doçi raporton për “BalkanWeb” se 26-vjeçari është afruar pranë shtëpisë, në momentin që është ngritur kufoma për t’u çuar në varreza. Ai është parë nga djemtë e lagjes, të cilët e kanë thirrur, por ai është larguar menjëherë, duke u futur në një banesë të braktisur.

Gazetari Doçi sjell pamje në “BalkanWeb”, ku shihen forca të shumta të FNSH dhe Policisë së Dibrës, të armatosur me kallashnikovë dhe anti-plumba, të cilët i afrohen banesës së braktisur, pasi u dha sinjali se autori fshihet aty.

Në video shihet momenti kur forcat e FNSH futen në banesë, por autori ka lënë aty vetëm këpucët dhe është larguar. Siç raporton gazetari Doçi, ai është kapur pak minuta më vonë brenda lagjes, ku ndodhi krimi tragjik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb