‘BalkanWeb’ ka siguruar pamjet nga momenti i grabitjes së një banese në Sarandë, ngjarje në të cilën janë akuzuar katër persona, ndërkohë që dy prej tyre janë në pranga. Në kamerat e sigurisë shihet se si dy persona të maskuar me kapele, me maska anti-covid, tentojnë që të hyjnë në mes të natës në këtë shtëpi.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.1 në qytetin bregdetar. Siç shihet dhe nga pamjet, autorët që kanë hyrë në banesën e shtetasit me inicialet L. P., kanë pikasur kamerën e sigurisë dhe me një dru kanë lëvizur drejtimin e saj në mënyrë që mos të filmonte asgjë tjetër.

Sipas policisë, Hile Memehaj, 25 vjeç, banues në Prizren, Vangjel Pella, 57 vjeç, banues në Sarandë, Nderim Ndreca, 26 vjeç si dhe Getoarb Mulliqaj 26 vjeç, këta të fundit banues në Gjakovë të Kosovës, kanë vjedhur një shumë të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë në këtë banesë. Ndërkohë, deri më tani janë arrestuar vetëm Hile Memehaj, dhe Vangjel Pella 57 vjeç, ndërsa policia vijon kërkimet për arrestimin edhe të personave të tjerë.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb