TIRANE– Policia ka gjetur një pjesë tjetër të parave që u grabitën më 9 shkurt në Qafë-Kashar. Një shumë parash janë gjetur të groposura brenda një tenxhereje në zonën e Bathores, në Tiranë.

Tenxherja ku ishin fshehur paratë është gjetur pranë banesës së Admir Çerpjas, i cili u arrestua mbrëmjen e të premtes në Dibër. Policia ka publikuar edhe pamjet nga momenti kur uniformat blu kanë gërmuar në vendin ku ishte fshehur tenxherja.

“Vijon operacioni “Patriot”. Gjendet një tjetër sasi e konsiderueshme parash të dyshuara të grabitura. Në afërsi të banesës së Admir Çerpja në Bathore, policia gjen një tenxhere presioni të mbushur me Euro e Paund. Tenxherja ishte e groposur. Vijojnë kërkimet pasi dyshohet për sasi të tjera”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë operacionit për arrestimin e autorëve të grabitjes, policia gjeti një pjesë tjetër të parave, të groposura në disa tenxhere presioni në Vlorë, pranë banesës së Neim Avdulajt, dhe një shumë tjetër në servisin e Fatjon Xhyliut, të dy të arrestuar për ngjarjen.

Deri më tani në pranga për grabitjen spektakolare të 3.2 milionë dollarëve të bankës, janë vënë 5 persona.

Në kërkim është edhe personi që konsiderohet si “koka” e bandës, Admir Murataj, për të cilin policia është duke zhvilluar aksione të gjera për ta kapur.

Organi i akuzës ka faktuar se kjo bandë është autore edhe e grabitjes së ndodhur më 3 dhjetor 2015 në rrugën e Rinasit, ku sërish u vodhën lekët e një banke, në të njëjtën mënyrë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb