Policia greke ende nuk ka mundur të bie në gjurmët e dy autorëve të grabitjes së bankës një ditë më parë në Greqi. Mediat helene kanë publikuar pamje nga brenda bankës, ku shihen dy personat e armatosur rëndë teksa kërcënojnë personelin.

Raportohet, se dy grabitësit kanë tërhequr nga banka 11 mijë euro dhe për t’u larguar, kanë përdorur një grua si “mburojë”.

Në pamje, ata shihen se kanë mbuluar fytyrën me maskë anti-COVID dhe janë veshur thjeshtë. Kujtojmë se grabitja, e ngjashme me ato të filmave, ka ndodhur rreth orës 11:35 sipas asaj lokale në qendër të Athinës.

Dy autorët hynë në bankë, nxorën kallashnikovët dhe terrorizuan punonjësit dhe klientët. Burime për median greke, protothema, bëjnë me dije se 10 persona janë shoqëruar për në komisariat, por nuk dihet nëse ata kanë lidhje apo dijeni për grabitjen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb