Humbja e ciklit menstrual para moshës 40-vjeçare është një nga shenjat e futjes në një menopauzë të parakohshme. Mjekja obstetër-gjinekologe, Eda Bylykbashi e ftuar në “Vila24”, moderuar nga Brunilda Lahe tha, se sa më herët të nisë cikli menstrual, aq më shpejt vjen menopauza. Sipas Bylykbashit kjo varet edhe nga depozitat e vezëve që ka çdo grua. Një nga shkaqet që ndikojnë në këtë gjendje është trashëgimia gjenetike, ndërhyrjet e ndryshme kirurgjikale, formacionet malinje. Bylykbashi theksoi se sipas studimeve pirja e duhanit dhe humbja drastike e indit dhjamor si pasojë e dietave ekstreme afrojnë me 2 vite periudhën e menopauzës.

“Kam paciente që ushtrohen shumë në palestër, ankohen për çrregullime të ciklit apo edhe zvogëlim të gjoksit, kjo si pasojë e humbjes së masës dhjamore e cila është një burim hormonesh, të nevojshme për organizmin e grave”-tha Bylykbashi, ndërsa shton se shtyrja e menopauzës së hershme mund të arrihet me zëvendësimin e hormoneve, duke pasur parasysh edhe rreziqet, referuar ndër të tjera edhe problemeve kardiake. Disa nga shenjat e menopauzës së hershme janë tharja e mureve të vaginës, tharja e lëkurës, humbja e menstruacioneve etj”.

“Mjekja u shpreh se me rëndësi është marrja e kalçiumit, magnezit apo vitaminës D. Sipas saj menopauza nuk është vetëm fizike, por ajo prek edhe sferën emocionale, duke shkaktuar shpesh edhe luhatje psikologjike. Për të kontrolluar nëse jemi të rrezikuar nga një menopauzë e hershme mjafton një analizë hormonale përmes gjakut dhe sipas Bylykbashit nuk ka vend për panik, por mund të merret si një proces jetik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb