Me tone të ashpra, deputeti socialist, Erjon Braçe, ka vijuar edhe këtë të enjte interpelancën me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, lidhur me situatën e bujqësisë në vendin tonë.

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti Braçe shpërtheu me tone të forta, por edhe me një ironi shpotitëse, kundër qeverisë, duke thënë se situata me bujqësinë në vendin tonë është e jashtëzakonshme.

“Kam bërë populistin kaq kohë, kam mërzitur edhe Netën, edhe Pandin. Keq kam bërë. Vajta e ndava unë njerëzit e zakonshëm nga elita e bujqësisë, pastaj nxita mosbesim ndaj tyre. Në fakt ata nuk i njeh kush, aty ku janë fshehur.

Bëra dhe më shumë keq, kur nxita mosbesim ndaj institucioneve dhe rregullave të lojës, që nuk janë të shkruara. Më keq akoma e solla të gjithën në një platformë konfliktuale, që ndan bujqit prodhues nga një grusht tregtarësh, bërë bashkë në një kartel. Rreth e rrotull bujqve, rreth e rrotull elitës së bujqësisë. Kaq keq kam bërë. Tani do bëhem realist. Një person, deputeti e ka të pamundur këtë, ka si qëllim votën e drejtë e pa lekë, që pranon situatën, gjendjen siç është, dhe i përgatitur të flasë në përputhje me rrethanat. Fillon me “jemi mirë”, bujqësia po rritet. 0.01% plus ishte pa kuptim.

3% më shumë jemi rritur, thoni. Por kjo nuk është normale, sepse është rritur gjithçka. Është rritur edhe TVSH, që e votuat me qejf në fund të vitit. U rrit kostoja e gjithçkaje. Hëngrën dhe lopët njëherë si në shpar, si në nazar, pa nami të bëhet. Dëgjo, kjo është populiste, nuk është realiste. Lopët, që numëron, vaksinon, patrikullon, i numëron prapë, është e padrejtë.

Tregtari po merr shumë, janë ato shifrat që shikoni, merr 2-3 më shumë se bujku. Bujku nuk ka për të kuptuar kurrë, paratë e tij i merr prodhuesi. I merr grumbulluesi. Kjo është bujqësia që po vjen, bujqësia sipërmarrëse, e përqendruar te 100 sipërmarrës të mëdhenj, që shpërndajnë rroga minimale të bujqit. Kjo nuk është normale, është e jashtëzakonshme. Në një botë tjetër, Mehmet Shehu e quajti monopolizim”, u shpreh deputeti i PS.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb