Jashtëtokësori dhe i magjishmi Leo Messi dërgon Argjentinën e tij në Botërorin e Rusisë. Përveç Brazilit që kishte siguruar kualifikimin disa ndeshje më parë, kualifikohen edhe Uruguai dhe Kolumbia. Leo Messi ka qenë njeriu i ndeshjes për Argjentinën në fitoren e tyre të madhe kundër Ekuadorit.

Argjentina e nisi ndeshjen shumë keq kur Renato i Ekuadorit shënoi që në minutën e parë. Por, pas këtij goli e gjithë ndeshja kishte vetëm një emër, Leo Messi, i cili shënoi “hat trick” (11, 18 dhe 62) për ta dërguar Argjentinën në botërorin e “Rusi 2018”. Leo Messi edhe njëherë ka treguar që është një nga lojtarët më të mirë që ka njohur historia e futbollit. Ylli i Bacelonës me dy golat e shënuar në pjesën e parë ka hyrë në histori si lojtari i parë i cili shënon 20 gola në kualifikimet për kampionatin botëror nga kontinenti i Amerikës Jugore.

Ndeshjet e fundit, ato të sotmet, përcaktuan edhe 3 të kualifikuarit direkt. Brazili ka mposhtur Kilin me rezultat 3-0, duke eliminuar kampionen e Amerikës Latine . Gabriel Jesus me dy gola dhe Paulinho shuan shpresat e Kilit për të shkuar në Rusi. Uruguai fitoi me rezultatin 4-2 për t’u kualifikuar direkt në Botëror, po ashtu edhe Kolumbia arriti që të barazoi me Perunë, duke u kualifikuar direkt në Botëror. Ndërsa Peruja duhet ta kërkojë kualifikimin me anë të ndeshjeve të play off-it, ku do të përballet me një nga skuadrat nga Oqeania që do të sigurojë play off-in.

(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: