4 gola në start janë një kartëvizitë e rëndësishme për Milan, kampionët në fuqi sillen si të tillë, treguan karakter e cilësi në “San Siro”, por dy golat e pësuar nga Udinese nuk mund të kalojnë në heshtje, është një sinjal që Pioli dhe stafi i tij duhet ta korrigjojnë sa më shpejtë.

Për herë të parë që nga 1996, Milan e nis sezonin me “poker” golash, por e gjetën vetën në dizavantazh që në minutën e dytë ku Becao me kokë kaloi Udinen në avantazh. Festa zgjati pak, në minutën e 11-të, Calabria u rrëzuan në zonë, gjyqtari i takimit pas sinjalizimit nga VAR akordoi penallti, një vend që shkaktoi jo pak polemika pas sfidës. Nga pika e bardhë e penalltisë, Hernandez u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 1-1. Katër minuta më pas, me një aksion model, Rebic i pa shqetësuar në zonë dërgoi topin në rrjetë dhe Milan në avantazh. Në “San Siro” dy ekipet zhvilluan një futboll të hapur, në limitet e pjesës së parë, Udinese befasoi sërish kampionët teksa Mesina me kokë rikthehu baraspeshën.

Kuqezinjtë e Piolit e nisën pjesën e dytë me gol, me Dias që përfitoi nga një top i ngecur në zonë duke dërguar shifrat në 3-2. Brahim Dias ishte i pa papërmbajtshëm në këtë sfidë, në të 68-tën rikuperoi një top shumë të bukur, duke i dhuruar Rebic një asist perfekt, kroati nuk shpërdoroi duke sigluar shifrat në 4-2, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund.

Trajneri Pioli feston, por jo plotësisht, ekipi i tij mund dhe duhet të përmirësojë disa detaje të rëndësishme: “Pësuan sërish gol në fillim të sfidës, duhet ti nisim ndeshjet më mirë. Reaguam duke zhvilluar një 30-minutësh shumë të mirë, por teknikisht duket të bëjmë më mirë”, theksoi Piolo pas ndeshjes.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb