Përveç dhunës në Parlamentin e Malit të Zi, tensionet e forta kanë shoqëruar edhe një seancë plenare në Parlamentin e Bosnjes.

Shkak i përplasjeve është bërë marrëdhënia e Bosnjes me NATO-n, ku siç shihet dhe në videon e bërë virale, ministri i Brendshëm rajonal përplaset fizikisht me një deputet të opozitës, duke e goditur atë me dorë në fytyrë.

Ministri i brendshëm, Dragan Lukaç, ishte duke folur në podium, kur i afrohet deputeti i opozitës, të cilit fillimisht i hedh letrat në fytyrë dhe më pas e qëllon me shuplakë, duke e quajtur “Majmun” deputetin Drashko Stanivukoviç. Ministri Lukaç vjen nga radhët e aleancës së pavarur social-demokrate të presidentit të rajonit, Milorad Dodik.

Liderët e 3 etnive në Bosnje po diskutojnë për anëtarësimin ose jo të vendit në NATO dhe mundësinë e thellimit të unitetit të vendit. Qeveria e serbëve të Bosnjes ka rënë dakord me dy rajonet e tjera boshnjake për një paketë reformash përbashkuese, ku përfshihet krijimi i një qeverie të përbashkët.

Por opozita serbo-boshnjake akuzon presidentin Dodik se në fshehtësi po i hap rrugë anëtarësimit të vendit në NATO. Milorad Dodik është shprehur gjithmonë kundër këtij anëtarësimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb