Ish-zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Rovena Voda është paraqitur sot në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (GJKKO) ku do i komunikohet masa e sigurisë. Voda ndodhet në masën e ‘arrestit të shtëpisë’ pasi akuzohet për veprën penale ‘ushtrim ndikimi të paligjshëm’ sepse dyshohet se ka marrë ryshfet për punësimin e dy zonjave në institucione publike.

Në një video të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për ‘BalkanWeb’, shihet se Voda zbret nga një makinë policie, duke iu drejtuar GJKKO. E veshur me një kostum të zi dhe me syze, një çantë dhe një letër në dorë, Voda shihet teksa hyn brenda ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, bashkë me avokatin e saj, Marash Ibraj.

Sipas SPAK, Rovena Voda akuzohet se ka marrë përfitime nga Florida Beu dhe Majlinda Hasani kundrejt emërimeve të tyre në detyrë. Ndërkohë që GJKKO ka caktuar sot masën ‘arrest shtëpie’ edhe për Florida Beun si dhe Majlinda Hasanin. Nga përgjimet e zbardhura dje, rezultoi se Voda kishte marrë në këmbim nga Beu, për punësimin e kësaj të fundit në institucion publik, një shumë prej 1 mijë eurosh, një telefon dhe një arkë me peshk.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: