SHKODRA

Një 23-vjeçar është arrestuar në Shkodër për llogari të Italisë. B.Th, banues në Plan është shpallur në kërkim nga Italia, saktësisht me një urdhër-arrest nga Gjykata e Vercelit më 2019 për vjedhje me armë.

Ai rrezikon të dënohet deri në 20 vite burg, teksa fillimisht do të ekstradohet nga Shqipëria në Itali.

 

NJOFTIMI NGA POLICIA

Shkodër

Finalizohet një tjetër operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Interpol Tirana.

Kapet dhe vihet në pranga një 23-vjeçar i kërkuar në Itali për vjedhje me armë.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes DVP Shkodër dhe Interpol Tirana, u organizua puna për kapjen e një 23-vjeçari të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Pas lokalizimit të vendodhjes së personit të kërkuar, forcat e posaçme “Shqiponja” në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në afërsi të lagjes “Vojo Kushi”, Shkodër, bënë kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, të shtetasit:

B.Th., 23 vjeç, banues në Plan, Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Vercelit, Itali, në vitin 2019, ka lëshuar urdhër-arresti për veprën penale “Vjedhje me armë në rrethana rënduese”. Maksimumi i dënimit për këtë vepër penale është 20 vjet burg, parashikuar nga legjislacioni penal italian.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijojnë veprimet për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb