TIRANË

Të kesh fatin të  jetosh një jetë të dytë. Pal Prekperaj  nga Laknasi i Tiranës e di shumë mirë kuptimin e kësaj thwnie  pasi nuk ka shumë që ka fituar betejën me virusin Covid 19.

66 vjeçari me profesion avokat ka 10 ditë që ka lënë spitalin tashmë i negativizuar porse herë pas here vendos tubat e oksigjenit për shkak të pasojave që virusi ka lënë pas në mushkëri.

Mëndja nuk i shqitet për asnjë moment nga përjetimet e provuara për 20 ditë në spitalin e sanatoriumit ku thotë se mbriti më shumë i vdekur se i gjallë.

Në jetën e tij ishte e para herë që provonte spitalin dhe si për ironi u desh që ta përjetonte si bartës i një sëmundje të rëndë virale ndaj të cilës ishte ruajtur shumë, por më kot. Siç tregon dhe vetë ka mjaftuar një vizitë në burgun e Fushë Krujës që avokati të sëmurej vetë si dhe të infektonte edhe djalin dhe bashkëshorten por ata fatmirësisht me simptoma më të lehta.

Avokati 66 vjeçar kujton 10 ditët e para në sanatorium që nga analizat në urgjencë dhe shtrimi në katin e tretë të spitalit ku provoi për herë të parë maskën e oksigjenit që fillimisht e refuzoi derisa u bind nga mjekët se iahte e vetmja rrugë shpëtimi.

Pali thotë se shërbimi mjeksor dhe infermieror nuk i ka munguar në asnjë rast porse sipas tij personeli është i mbingarkuar dhe i lodhur deri në atë pikë sa e ka të pamundur të ofrojë të gjithë asistencen sipas nevojës.

Në rrëfimin e tij ekskluziv për News24 i mbijetuari i Covid-19 kujton shokët e dhomës ku pacienti në gjendje më të mirë shërbente më të pamundurit. 66-vjeçari thotë se në asnjë rast nuk i është mohuar e drejta e telefonit dhe as ushqimet apo uji që i sillte familje cdo ditë.

E pyesim se si i përjetoi lajmet e vetëvrasjes së pacientëve në sanatorium. Hesht për një moment dhe mandej nis të flasë e të tregojë se aktet nuk janë produkt i mosdhënies së shërbimit mjeksor por se sipas tij pacientët ngarkohen psikologjikisht që para se të shkelin në spital duke refuzuar që në fillim maskën e oksigjenit që u duket se i mbyt dhe asfikson.

Teksa bisedojmë me Palin kuptojmë se ka filluar të lodhet nga pak si shkak i të folurës dhe se është koha që të marrë një sasi të vogël oksigjeni për të ruajtur parametrat vitalë. Para të largohemi 66 vjeçari ka edhe një apel të fundit për qeverinë. Ai  thotë se vetëvrasjet nuk parandolohen me zgara hekuri në dritare dhe as me police në dhoma duke rikthyer në vëmendje punën e munguar të psikologut në spitale.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb