Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit e ftuar në “Vila24” lejoi publikun ta njohë edhe në planin personal, ndryshe nga intervistat e deritanishme. Kumbaro e nisi me shqetësimin se jemi ende larg ndryshimit të mentalitetit dhe ndërgjegjësimit për mjedisin dhe ruajtjen e tij nga ndotja, ndërsa u ndal tek një traditë aspak qytetare e kthimit të fushave apo kodrave në vendgrumbullime mbeturinash.

Kumbaro foli për futjen e saj në politikë duke qenë se më parë ajo ishte njohur për zërin e pavarur si një aktiviste e shoqërisë civile e pagrupuar në ndonjë formacion politik e shton se politika i ka dhënë mundësinë të takojë e njohë nga afër komunitetin. “Për 2 dekada me radhë vetëm flisja dhe thoja mendimin tim të lirë, po thashë boll, se nëse vetëm flet, kush do veprojë?”, -shprehet ministrja Kumbaro e pyetur nga moderatorja Brunilda Lahe për integrimin e saj në politikë. Më tej Kumbaro i përgjigjet edhe pyetjes se çfarë raporti ka me kryeministrin Edi Rama. Më pas, referuar profesionit e pasionit të saj të madh, përkthimit, Kumbaro tha se për shkak të detyrës dhe angazhimit në qeveri, përkthimi tashmë nuk është më sistematik, por këtë përvojë të çmuar e ndan me kolegen e saj, përkthyesen Saverina Pasho. Në planin personal, ministrja Kumbaro duket se vijon të jetë hermetike, ndërsa thotë se ajo nuk është intervistuar asnjëherë nga bashkëshorti i saj, gazetari Aleksandër Furxhi, duke dashur të mos përziejnë të dy profesionet dhe se ajo ka vendosur ta ruajë me shumë konservatorizëm jetën private. Sa u përket fëmijëve, mendon se me shumë rëndësi është respektimi i limiteve për shkak të pjekurisë dhe pavarësisë, por thekson se për çdo individ është i rëndësishëm ushqimi i mendjes.

Pas komplimentit të moderatores për pamjen e saj elegante dhe shijet në veshje, ministrja Kumbaro duket se e kalon këtë moment me shumë finesë. Në fund, Kumbaro teksa flet për rëndësinë që ka gatimi e kulinaria, gjen vend për të ngritur shqetësimin se shumica e restoranteve, kryesisht në bregdet nuk bëjnë kujdes duke derdhur mbetjet të cilat më pas kthehen si kërcenim për shëndetin tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb