Në dy ndeshjet e fundit, përballë dy ekipeve të fundit të tabelës së klasifikimit, Laçi zhgënjen në mënyrë të pabesueshme. Vetëm një pikë, kundër Apolonisë dhe Skënderbeut, kanë bërë që kurbinasit të qëndrojnë në vend numëro duke mos përfituar nga ndalesa e rivalëve. Barazimi 1-1 kundër korçarëve djeg jo pak për mënyrën se si erdhi.

Një gafë e Adolfo Selmanit në minutën e 43-të i dha mundësinë Skënderbeut të kalonte në avantazh. Meksi i pa shqetësuar në qendër e kishte të lehtë të dërgonte topin në portën e boshatisur.

Shpëtim Duro vendosi të ndërhy në formacion duke hedhur menjëherë në fushë Krian Nuabueze, në vend të Selmanit. Sulmuesi nigerian, mungesa më e madhe e Laçit këtë periudhë, kthehet në protagonist në minutën e 51-të duke fituar një 11-metërsh dhe po vetë nga pika e bardhë e penalltisë u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 1-1. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me dy ekipet që ndajnë nga një pikë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb