NGA ALFRED GURRAJ
Një ditë pas aksidentit tragjik në Fier me dy të vdekur dhe një të plagosur, banorët e fshatit Shën Pjetër japin alarmin për mungesën e barrierave mbrojtëse në urën nga ku ra automjeti. Edhe pse u vendosën rreth 1 vit më parë, këto barriera u vodhën e dëmtuan brenda një kohe të shkurtër, duke rrezikuar jetë njerëzish.

Ura në segmentin Hoxharë e Re-Fier ku mbrëmjen e së hënës humbën jetën dy persona e u plagos një tjetër prej kohësh cilësohet si ura e vdekjes për banorët e fshatit Shën Pjetër dhe të zonave përreth.

Edhe pse barrierat mbrojtëse janë vendosur disa kohë më parë ato janë dëmtuar dhe vjedhur, duke e kthyer këtë urë në një pikë të rrezikshme për qarkullimin e banorëve, por edhe të turistëve të shumtë që frekuentojnë fshatrat bregdetarë të Fierit. Banorët rrëfejnë se ky aksident nuk është i pari dhe se shumë njerëz do kishin shpëtuar nëse do ishin barrierat.

Emiliano Goxhaj dhe Silvana Alushaj humbën jetën pasi automjeti tip “Benz” me të cilin udhëtonin doli jashtë rrugë dhe ra në kanalin poshtë urës. I plagosur ka mbetur edhe pasagjeri Hazis Hilaj, 35 vjeç. Gjithçka nisi si në shëtitje turistike e të treve dhe përfundoi në mënyrë tragjike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb