LUSHNJE- Vetëm gjashtë kilometra nga Lushnja, por duket sikur janë në një botë tjetër. Ky është fshati Shegas tashmë pjesë e Bashkisë së Lushnjës. Prej 28 vitesh rruga e fshatit të tyre është aq e shkatërruar, sa e ka vështirësuar shumë jetesën e banorëve.

Ata thonë se çdo qeveri që kalon, vetëm premton, ndërkohë që për ta jeta bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Për një të sëmurë duhet 20 mijë lekë për të shkuar në Lushnje, në spital”,- thotë një banor.
“Shumë e vështirë jetesa, këtu vdes robi, s’të vjen makina këtu…”,- shprehet një grua.
“Kemi gjashtë vite këtë parti votojmë. Rama del e thotë ju jeni të djathtë, politika vetëm premtime bën
”,- ankohet një tjetër.

Por përveç vështirësive në lëvizje, e transportit të produkteve bujqësore, mungesa e infrastrukturës rrugore në fshatin Shegas ka sjellë edhe një problem tjetër, djemtë nuk gjejnë dot nuse.

Ndoshta duket si shaka, por është e vërtetë, banorët thonë se djemtë nuk po martohen dot, pasi asnjë vajzë nuk vjen në një fshat pa rrugë.

Po vuajmë si mos më keq, na ngelën çunat…asnjë nuse nuk vjen. Ku t’i çosh në Shegas? Gocat ikin, po çunat…”,- thotë një banor.

Obobo thonë asnjë s’jep nuse këtu. Nuk na përfillin”,- thotë një tjetër banor.

Duke qenë se besimi tek shteti është venitur njëri prej banorëve shpreh edhe një dëshirë të fundit, që sipas tij vetëm Zoti mund ta rregullojë.

Zoti…se nga qeveria jo njëherë…edhe Zoti them ta përmbysë fare”, shton ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb