TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka kaluar sot një drekë në Durrës me peshkatarët, duke shijuar prodhimet e detit. Por gjatë drekës, peshkatarët pasi kanë evidentuar disa nisma të suksesshme të qeverisë për zhvillimin e këtij sektori, i kanë shprehur kryeministrit shqetësimin për varkën e peshkimit që kanë mbajtur peng në Egjipt autoritetet atje, të cilat kërkojnë 50 mijë euro për të lëshuar varkën.

“Varka në atë derexhe ku është katandisur nuk bën as 30 mijë euro. Atje nga porti ushtarak kërkojnë 50 mijë euro. Do një ndërhyrje nga lart, nga ministri a nga ambasada. Të lutem duam një ndihmë…”, – ka bërë apel një prej peshkatarëve.

Kreu i qeverisë gjen një zgjidhje ndërsa është live në “Facebook”, ndërsa i thotë peshkatarëve se në dijeninë e tij problemi ishte zgjidhur. “Ndoshta duhet bërë një ndërhyrje më lart. Do interesohem, do interesohem unë. Unë nuk e dija, e dija që ishte mbyllur kjo histori”, – thotë kryeministri.

Rama i kërkon Vangjush Dakos t’i telefonojë ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Por një peshkatar i pranishëm në tavolinë i thotë për ministrin Bushatin: “Është çun i urtë ai, nuk të zgjidh gjë”, ndërsa kryeministri i përgjigjet: “Nuk është edhe aq i urtë sa duket, po hajt mo…”.

Teksa Bushati e hap telefonin, Dako ia kalon Ramës. “O Ditmir fol pak të lutem me këtë zotërinë këtu për punën e asaj varkës që…Të lutem fol pak këtu”, – i thotë kryeministri dhe i kalon telefonin peshkatarit.

Momentin mund ta gjeni në minutën e 42-të të videos.

[fbvideo link=”https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154590436501523/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: