Simone Inzaghi fitoi derbin e parë kundër Milan në krye të Inter, një fitore e pastër 3-0 në “San Siro” që i dhuroi një biletë për në finalen e Kupës së Italisë: “Djemtë u treguan fantastik, goditëm në momentin e duhur me inteligjencë dhe qetësi. Dëshironim të fitonim këtë derbi dhe e merituam finalen në fushë. A mund të ndikojë kjo fitore edhe në Serie A? E shpresoj, po punojmë prej kohësh për këtë. Në janar fituam Superkupën, tani kemi një finale për të luajtur më pas është dhe një kampionat për ta mbyllur në maj”, u shpreh Inzaghi pas ndeshjes.

Heroi i këtij derbi ishte Lautaro Martinez, autor i një dygolëshi: “Jam i lumtur pasi do të luajmë një tjetër finale. Punojmë për këtë, për të dërguar Interin gjithnjë e më lart. Në stadium ishin prindërit e mi, familja ime, golat ishin për ta, janë ata që më shtyjnë gjithnjë që të mos rrëzohem”, theksoi Martinez në përfundim të këtij takimi.

Sigurisht që atmosfera është ndryshe në radhët e Milan, trajneri Pioli nuk qëndrojë shumë gjatë por u largua në momentin që iu shfaq goli i anuluar: “Dëshironim ta fitonim këtë sfidë por nuk ia dolëm. Rezultati është i rëndë, i pastër, por nuk ishte kjo diferenca mes dy ekipeve. Inter shënoi gjithnjë në momentin e duhur. Goli i anuluar? Më thoni një portier në botë që nuk bën asnjë reagim në momentin kur i zihet pamja. Handanovic nuk proteston fare”, u shpreh Pioli për të braktisur më pas konferencën.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb