Është shoqëruar me debate të forta emisioni “Real Story” i gazetarit Sokol Balla, në News24, mes analistëve Fatos Lubonja dhe Skënder Minxhozi, lidhur me shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha nga SHBA, nën akuzën e korrupsionit.

Situata në studio u tensionua, në momentin që Minxhozi tha se spastrimi i klasës politike duhet të fillonte pikërisht me Berishën, pasi sipas tij, ka 30 vite aktiv në jetën politike shqiptare dhe nuk ka çfarë jep më.

Kjo ka revoltuar Lubonjën, i cili është shprehur se mosha nuk është motiv për të shpallur një politikan “non grata”, pasi edhe SHBA ka President Joe Biden, apo Italia me President Sergio Mattarela, 80 vjeç.

Pjesë nga debati:
Lubonja: Sipas amerikanëve, Berisha është hequr për korrupsion, sepse korrupsioni përbën rrezik për strategjinë e SHBA. E provoi edhe Afganistani, një qeveri që e mbështetën për 20 vite, bënte korrupsion, tani erdhën talebanët dhe e kanë çuar autoritetin e SHBA në fund të këmbëve. Por, unë mendoj se edhe ata janë në teatër, si këta të tjerët. Sepse, nëse do të kishin vërtet hallin e korrupsionit, nuk do të merreshin vetëm me Berishën. Mua sot më rezultojnë të gjithë të lidhur me Edi Ramën dhe po bëjnë korrupsion me të. Niveli i korrupsionit sot në Shqipëri është shumë i madh, ndaj lind pyetja “Vërtet këta amerikanët e kanë me vërtet kur thonë se korrupsioni përbën rrezik?” E shpallën ‘non grata’ dhe nuk i thonë arsyet. Ky është rrezik për të gjithë, për Lul Bashën nesër. Ky i fundit e mori këtë vendim, pasi ishte i kërcënuar, se dhe ai mund të shpallej ‘non grata’. Në këtë Shqipërinë tonë ka 60 mijë fëmijë në 10 vitet e fundit, që prindërit i çojnë në Itali, Angli, etj. dhe janë zhdukur, për t’i shpëtuar nga Shqipëria, ndërsa ne shpëtokemi afganët. Ne jemi vendi që ka kërkesat më të mëdhaja për azil se çdo vend tjetër në Evropë. Kjo është një hipokrizi shumë e madhe dhe e quaj turp që amerikanët pranojnë, që në vend që të thotë se ky është një vend i varfër dhe ka 100 probleme, nuk kemi pse t’i përdorim, e bëjnë shembull. Është një maskaradë që bëhet ndaj popullit shqiptar nga një pakicë që ka pushtetin këtu dhe jashtë.

Minxhozi: Unë ngulmoj se nëqoftëse radha duhet të fillonte diku, do ta kisha të vështirë si shqiptar që kam jetuar këtu 30 vite, që radhën ta filloja me dikë tjetër, përvesçe me Sali Berishën. Bëjmë gjënë e drejtë të përkrahim nismën për të pastruar klasën politike nga ata që e kanë nisur të parët. Çfarë mund t’i kërkosh një politikani, pasi ka qenë 30 vite aktiv në jetën politike? Çfarë mund të japë më Sali Berisha?
Lubonja: Mosha nuk është kriter. Biden ka 50 vite që merret me politikë dhe tani është President i SHBA. Nuk spastrohen kështu politikanët. Nuk është ky kriteri, por është korrupsioni. Edhe Italia e ka Mattarelën.
Minxhozi: Ore, të lutem, Mattarela nuk ka qenë ekzekutiv. Mosha politike…
Lubonja: Mos ja fut kot tani se nuk bëhet fjalë për rinovim klase, por për korrupsion. Ai nuk është hequr se është i vjetër në moshë, por për korrupsion.
Minxhozi: Është e habitshme të justifikojmë rolin e Berishës në politikë. Ka qenë dy herë President dhe dy herë Kryeministër, ky është motivi
Lubonja: O zotëri, nuk është motiv ky. Dy herë Presidenti të jep dhe medalje nderi ai.

Minxhozi: Medaljen ta jep dhe të thotë mbaje në bufe, por të çon prapë atje.
Lubonja: Ore e ka hequr për korrupsion.
Minxhozi: Po ç’korrupsion do më tepër, kur vjen e i thotë këtij zotërisë në studio se “po të vijmë prapë, do i vras nja pesë herë”. Ja ta them unë korrupsionin. Po kur bashkohen të gjitha çfarë ndodh. Mos e hidh poshtë librin tënd. Edhe libri është gjë e jotja.
Lubonja: Unë kam hallin tim pra dhe të librit tim, që të mos dalë Edi Rama e të thotë ‘ky ka bërë këtë, e atë’, e nesër të më shpallë ‘non grata’.

Minxhozi: Ti e fillon tek Edi Rama, jo mo zotëri ka dhe më herët.
Lubonja: Pse nuk e hoqën Berishën në 1997?
Minxhozi: Pse e ka mbajtur Edi Rama?
Lubonja: Amerikanët pra. Pse s’e hoqën në 2015?
Minxhozi: Të thashë pra të mos i bëjmë gjyqin Amerikës.
Lubonja: Po gjyqin do ja bëjmë që ç’ke me të.
Minxhozi: Si, diktaturë?
Lubonja: Po, diktaturë.
Minxhozi: Fatosi e sheh sikur konsolidon diktaturën, por ka edhe që e shohin që kjo e shkund sistemin dhe është premisë për të prishur partitokracfinë 30-vjecare në Shqipëri.

Lubonja: Po dobëson Ramën mo.
Minxhozi: Po natyrisht, e dobëson dhe e lë vetëm Ramën.
Lubonja: Mos më thuaj ndërrim gjeneracion, se ka aty Roshi, etj, që janë më keq.
Minxhozi: Me radhë.
Lubonja: Amerika do të pastrojë shtetin ty, po ç’janë këto përralla mo?
Minxhozi: Është iluzion kjo që thua ti.
Lubonja: Është iluzion ajo që thua ti. E pe çfarë ndodhi në Afganistan.
Minxhozi: Ti e di shumë mirë se ke shkruar 200 artikuj e 10 libra dhe s’ka ndodhur asgjë.
Lubonja: E pe çfarë ndodhi në Afganistan, dhe thonin se talebanët ndërtonin vila.
Minxhozi: Mos krahaso të pakrahasueshmen.
Lubonja: Është korrupsioni mor zotëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb