Festë e madhe në Poliklinikën e Mesinës. Sot është nxjerrë nga spitali një grua 100-vjeçare pasi fitoi betejën me koronavirusin. Concettina Lenzi, bëhet kështu pacientja më e vjetër që shërohet në Siçili. Më 28 mars ajo bëri 100 vjeçe në repartin e sëmundjeve infektive të spitalit universitar “G.Martino”. Sot stafi i spitalit e ka përcjellë të moshuarën me duartrokitje të shumta.

“Në shtëpi do të dërgojmë. Një përshëndetje për të gjithë”, i thotë një mjek nga spitali teksa e shoqëron për në ambulancë.

“Ishte një zonjë e moshuar simpatike. Cili është motivi që dikush ia del dhe dikush jo, akoma nuk e dimë”, thotë drejtori i sëmundjeve infektive në poliklinikën “G.Martino”.

“Kur erdhi dhe mësuam se ishte 99 vjeçe, për ne ishte një sfidë. Është një sfidë që kemi fituar, kemi fituar një betejë por sigurisht jo luftën. Sot është një ditë e bukur pasi po e dërgojmë në shtëpi të shëruar dhe në gjendje të mirë, madje dhe me humor, pasi bëri batuta. E kupton ku ndodhet dhe tha se nuk do të shkojë në një spital tjetër por në shtëpi. Të kthehesh në shtëpi është një gjë shumë e bukur”, shprehet përgjegjësi organizativ i Spitalit COVID të poliklinikës “G.Martino”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb