Recete nga Znj Katerina

Përbërësit

Për brumin e krepave:
1 filxhan (çaji) miell
1 majë luge sheqer
¼ lç kripë
2 kokrra vezë
2 lugë gjalpë
1 ¼ fç qumësht

Për mbushjen:
2 lugë vaj ulliri
1 thelpi hudhër
1-2 fileto pule
½ qepë të thatë
1-2 speca
80 gr djathë kaçkavall
Kripë, piper

Sallatë domate
1-2 domate
2 lgj vaj ulliri
½ lëng limoni
Kripë, piper, nenexhik, majdanoz

Përgatitja

Shkrijmë gjalpin dhe e lemë të ftohet.

Në një enë hedhim vezët që i kemi në temperaturë të ambjentit shtojmë sheqerin dhe kripën. Përziejmë vezët me qumështin dhe gjalpin e shkrirë. Shtojmë miellin e situr, e përziejmë lehtë që brumi të bëhet i shkrifët, pasi nëse do t’a përziejmë me rrahëse brumi do të bëhet si llastik. Brumin e mbulojmë me një pecetë kuzhine dhe e lemë të pushojë sa më shumë (mirë do të ishte që brumi të mund të përgatitej dhe një ditë më parë).

Marrim një tigan që nuk ngjit ose tigan për krepa, e lyejmë me furçë me pak gjalpë dhe shtojmë 1 garuzhde brumë në qendër të tiganit, e lëvizim tiganin që brumi të hapet në të gjithë sipërfaqen dhe e lemë për 1 minutë të piqet e kthejmë nga ana tjetër dhe e lemë 30-40 sekonda.

I vendosim krepat e përgatitur në tryezën e punës dhe ndërkohë përgatisim mbushjen. Presim filetot e pulës në fetëza të holla. Në një tigan hedhim 2 lugë vaj ulliri dhe 1 thelpi hudhër të shtypur. E lemë hudhrën për 1 minutë të nxjerrë aromat dhe më pas e largojmë nga tigani. Vendosim në yndyrën e aromatizuar filetot e pulës dhe i kaurdisim për 5 minuta. Shtojmë më pas pak qepë të grirë imët dhe specat të prerë në shirita të hollë. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper dhe vazhdojmë kaurdisjen për 4-5 minuta të tjera.

E lemë mbushjen të ftohet pak dhe ndërkohë presim domatet në kubikë të vegjël. I vendosim domatet në një tas ku shtojmë vaj ulliri, lëng limoni, pak majdanoz të grirë imët, kripë, piper dhe nenexhik.

Marrim një krep e vendosim në tigan të ngrohet, shtojmë pak djathë kaçkavall të grirë në rende dhe më pas vendosim 1-2 lugë nga mbushja me pulë dhe perime. Shtojmë një lugë domate me erëza dhe në fund përsëri djathë kaçkavall. E palosim krepin dhe e servirim menjëherë të ngrohtë.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb