Sikur këmbëngulja e presidentit Kapllanaj nga tribuna të kishte vijuar, atëherë do të kishim rastin më skandaloz në këtë kampionat, por ajo që ndodhi në Skënderbeu-Bylis sërish mbetet një njollë e keqe.

Në fakt nuk ia vlen të merresh me asgjë tjetër në këtë takim,por ta spostosh vëmendjen menjëherë në minutën e 68-të, edhe pse skuadrat patën momente të mira shënimi.

Bregu rrëzohet në zonë, për kryesorin Shahini kemi kontakt mes vlonjatit të korçarëve dhe Peposhit dhe akordon 11-metërshin. Pamjet flasin qartë për këtë situatë… Kapiteni Drita kthen penalltinë në gol, ndërsa pas “VAR”-it të bërë në tribunën qëndrore, presidenti Kapllanaj tërbohet dhe i kërkon skuadrës të dalë nga fusha.

Minuta kaosi, të cilat transferohen dhe te dy stafet, por më pas çdo gjë rifillon pas thuajse 5 minutash.

Pavarësisht tronditjes psikologjike, Bylisi gjen forca dhe reagon duke barazuar shifrat në minutën e 86-të me Gaston, ndërsa në kohën shtesë, Gripshi shpërdoron golin trepikësh për bardhekuqtë, duke gjuajtur jashtë ndonëse i vetëm përballë Hidit.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb