Partizani ka marrë një fitore me shumë vlera në fundin fazës së tretë, duke mposhtur 2-1 Laçin në “Elbasan Arena”. Tri pikë që afrojnë “demat e kuq” më shumë me zonën evropiane në kampionat.

Partizani gjeti shpejt golin e avantazhit. Në minutën e 11-të, pas një goditje nga këndi, Murataj harkon dy herë në zonë, në tentativën e dytë Bitri me kokë i vetëm nuk e ka të vështirë të shënojë, me portierin Dajsinani të dorëzuar.

Të kuqtë mund të kishin dyfishuar në të parën. Sapo nis e dyta, kurbinasit gjejnë golin e barazimit me anë të Adelekes pas pasimit të artë të Ujkës. Megjithatë, të kuqtë nuk dorëzohen. Në 57’, Skuka merr penallti dhe pas rikonfirmimit edhe nga VAR gjuan po vetë dhe shënon, duke kaluar Partizanin në avantazh. Kaq mjaftoi për suksesin.

Në ndeshjen tjetër zhvilluar në Shkodër, fiton Kastrioti 1-2 ndaj Vllaznisë. Pas një pjese të parë pa gola, shkodranët kaluan në avantazh menjëherë pasi nisi e dyta. Aralica nuk fali pas asistit të Hoxhajt, ku gaboi edhe portieri mik me daljen bosh.

Por në fund erdhi përmbysja e madhe e krutanëve. Është shkodrani Edon Hasani që ndëshkon ish-ekipin e tij, duke shënuar dy herë në 79’ dhe 86’. Tri pikë me shumë vlera për Kastriotin, që ngjitet në vendin e shtatë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb