Partizani mori një fitore shumë të rëndësishme për fatet e këtij sezoni. Të Kuqtë mposhtën 2-1 Kukësin në fushën e këtij të fundit dhe jo vetëm që mbajnë vendin e tretë, por shkëputen me tri pikë nga verilindorët e vendit të katërt.

Pasi humbi dy raste të mira me Junior dhe Skukën, ku i pari tronditi traversën që në start, Partizani zhbllokoi sfidën në minutën e 26-të me anë të Junior. Cara harkoi mirë nga e majta dhe braziliani nuk fali në zonë, duke goditur saktë me kokë.

 

 

Por miqtë nuk u ndalën këtu, vijuan me të njëjtin ritëm dhe në minutën e 40-të shënojnë edhe golin e dytë. Është sërish Junior ai që realizon. Kësaj here ishte Skuka që pasoi saktë për sulmuesin e Partizanit.

Kukësi u zgjua në pjesën e dytë. Në minutën e 52-të, vendasit ngushtuan diferencat në 1-2. Kroati Basa ndalet fillimisht nga shtylla, ndërsa më pas Milunovic e shtyn topin në rrjetë.

Verilindorët përpiqen me çdo kusht të shmangin të paktën humbjen, por edhe pse në shtesë luajtën në epërsi, pasi Maget i Partizanit ndëshkohet me karton të kuq, nuk ia dolën. Në “Kukësi Arena” feston Partizani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb