Për të parë në histori, Roma shpallet fituese e Conference League. Shqipëria, Kumbulla dhe stadiumi “Air Albania” i sjell fat Mourinho-s dhe bandës së tij. Portugezi mbetet special, këtë herë del nga toka e shqiponjave me trofeun e tretë evropian në xhep, si askush tjetër më parë. Verdhekuqtë thyejnë Feyenoord me rezultatin minimal 1-0 duke ngritur lart këtë trofe të veçantë në zemër të Tiranës. Festa ishte gjitha për tifozët verdhekuqe, kjo është një mbrëmje që do të kujtohet gjatë jo vetëm nga ata por nga të gjithë italianët, 12 vite pritje për të shijuar një tjetër sukses në Evropë.

 

 

 

Si kurrë më parë, në sytë e të gjithë botës, “Air Albania” dhuroi një mbrëmje fantastike, një sfidë që do të kujtohet gjatë. Për të dhënë më shumë shije kuqezi këtij turneu në tokën shqiptare mendoi kapiteni legjendar Lorik Cana, i cili dorëzoi trofeun e parë të Conference League. Pas një beteje të gjatë në distancë, tifozët s’postuan rivalitetin e tyre në tribuna ku nuk munguan as përplasjet për ti lënë më pas stafetën “gladiatorëve” në fushën e lojës.

Dy ekipet zbritën të ndrojtur, të “pushtuar” nga frika për të mos gabuar. Jose Mourinho pa ti binte poshtë çdo skenar që në minutën e 17-të teksa Mkhitaryan u detyrua të largohej nga fusha i dëmtuar. Pavarësisht këtij detaji, Roma filloi të shihte përpara, në minutën e 31-të, Mancini me një super asisit gjeti në zonë Nikolo Zaniolo, talenti “azzurr” me një koordinim perfekt, mori bukur topin me gjoks, duke e dërguar në rrjetë.

Feston i gjithë populli verdhekuq përveç atij, mjeshtrit të finaleve, Jose Mourinho. Pjesa e dytë nisi zjarr për Feyenoord, me holandezët që ushtruan një presion asfiksues, ishin dhe të pafat duke goditur dy herë shtyllën brenda pak minutash. Rui Patricio bën heroin duke mbajtur portën të pa prekur. Pavarësisht presionit të madh nga Feyenoord, romanët rezistuan ndërsa me kalimin e minutave, ditën të menazhojnë në perfeksion avantazhin. Për fat të keq, Mourinho nuk i rezervoi asnjë minutë yllit kuqezi, Marash Kumbulla që shijoi nga stoli këtë sukses historik. Ky ishte një fund i bukur për Kumbullën, për Mourinhon dhe mbi të gjitha për Shqipërinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb