Banorët e zonës së Laknasit, në Bashkinë e Kamzës, janë përplasur mëngjesin e sotëm me policinë. Shkak për përplasjen është bërë një pyll në Laknas, për të cilën punonjësit e policisë kanë shkuar sot për të prerë pemët, pasi aty parashikohet të ndërtohet një fermë dhe thertore derrash.

Gazetari Erjon Skëndaj ka shkuar në vendngjarje dhe sjell në redaksinë e “BalkanWeb” pamje nga përplasja dhe deklarata të banorëve, të cilët thonë se e kanë ndërtuar vetë këtë pyll, duke i shërbyer brez pas brezi, dhe nëse policia e prish, ata do të vdesin.

Ndërkohë, siç njofton gazetari Skëndaj nga vendngjarja, banorëve të Laknasit iu janë bashkuar edhe ambientalist, për ruajtjen e pyllit.

Banorja: Kanë ardhur në orën 3 që të vazhdojnë punimet, na lajmëruan neve dhe dolëm, u përleshëm keq fare. Kemi që në orën 3 e deri më tani që po përleshemi fizikisht. Tokës i ka mbaruar leja, këta thonë që kanë marrë një njoftim nga bashkia. Ne do të vdesim aty të gjithë, nuk e lejojmë. Pylli ka shumë vite që është ndërtuar nga vetë ne, i shërbejmë brez pas brezi, tani këta duan ta presin dhe të bëjnë thertoren. Po të bëhet thertorja, ne nuk jetojmë dot këtu.

Banori: Nuk mund të pritet një pyll për të ndërtuar një thertore, është vepër penale. Kemi një qëndrim tejet agresiv të firmës së ndërtimit dhe një heshtje totale të shtetit, të institucioneve përkatëse, që duhet të reagonin, pasi pylli është shumë pranë Tiranës.

Banorja: Do të bëhet me gjakderdhje, policët thonë se do i vënë flakën gjatë natës. Po na ikën truri!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb