Nga ferri në parajsë, brenda 6 minutash, “djalli” përmbys “Zonjën e Vjetër” në një sfidë spektakolare. Milan mban të gjallë çështjen titull në Serie A dhe mban të gjallë shpresën për të siguruar një vend në Europë. Ajo që ndodhi në “San Siro” është në kufijtë e të pabesueshmes, nga një pjesë e parë e fjetur dhe me pak raste, në një pjesë të dytë të magjishme, 6 gola, përmbysje dhe në fund, një fitore me karakter, një fitore e madhe e të zotëve të shtëpisë.

A.Rabiot në fillimin e pjesës së dytë, me një aksion personal, realizoi një gol shumë të bukur duke kaluar Juven në avantazh. Në minutën e 52-të, C.Ronaldo përfitoi nga një keq pozicionim i mbrojtjes së Milan dhe me një goditje jo nga më të mirat dyfishoi shifrat. Dy golat e shpejtë brenda pak minutash krijuan iluzionin e një fitore të lehtë të Juves por situata u përmbys shpejt. Në minutën e 62-të, Milan fitoi një 11-metërsh për prekje të topit më dorë nga Bonucci. Nga pika e bardhë e penalltisë, Zllatan Ibrahimovic u tregua i saktë duke ngushtuar diferencat në 1-2. Katër minuta më pas, Kessie finalizoi me gol një aksion të aksion të gjatë të Milan duke barazuar shpejt shifrat në 2-2. Për ta bërë edhe më të pabesueshme këtë sfidë mendoi Leao në minutën e 67-të, me brazilianin që mori një top në krah dhe ndëshkoi Szczesny në shtyllën e parë duke kaluar për herë të parë Milan në avantazh. Sarri u përpoq të ndryshonte rrjedhën e këtij duke kryer menjëherë 3 zëvendësime por sërish ishte Milan që realizoi, këtë herë me Rebic në minutën e 80-të duke sigluar shifrat në 4-2 dhe duke hipotekuar këtë fitore të madhe të kuqezinjve.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb