Recetë nga znj Katerina
Përbërësit

Për brumin – për 25 copë:
1 gotë miell
50 gr gjalpë ose vaj
3-4 kokrra vezë
1 lugë supe sheqer
¾ gotë ujë ose qumësht
1 majë luge kripë
Vaj për skuqje

Për sherbetin:
2 gota sheqer
2 gota ujë

Përgatitja

Fillimisht vendosim sherbetin të ziejë për 7-8 minuta dhe më pas e lemë të ftohet.

Në një tenxhere hedhim ujin ose qumështin, pak kripë, gjalpin dhe sheqerin. I përziejmë mirë derisa qumështi të nxehet dhe sa pa marrë valë shtojmë miellin e situr duke e trazuar me lugë druri. Ulim temperaturën nën mesatare dhe vazhdojmë trazimin derisa mielli të shkëputet lehtë nga anët dhe nga luga. Largojmë tenxheren nga zjarri dhe e lemë të ulet pak temperatura duke e përzier vazhdimisht. Masën e përgatitur e hedhim në një enë tjetër mundësisht porcelani dhe shtojmë vezët një e nga një duke i përzier shpejt që të përthithen mirë nga brumi dhe të krijohet një krem i plotë dhe elastik.

E hedhim brumin në një qese pastiçerie. Në një tigan me vaj të nxehtë hedhim pjesë-pjesë brumin dhe skuqim petullat e vogla. I vendosim petullat në një pjatancë ku kemi shtruar një letër kuzhine që të përthithë vajin e tepërt. Pasi t’i kemi skuqur të gjithë petullat i vendosim në sherbetin e ftohtë dhe i lemë të sherbetosen dhe më pas i kemi gati për t’i servirur.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb