Peter Olayinka tronditi “San Siron”, një gol që e bëri dhe më të errët rikthimin e Interit në Champions League. Për tifozët ziklatër dhe për pjesën më të madhe të opinionit sportiv, Olayinka është një emër i panjohur por jo në Shqipëri. Olaynika ishte një nga personazhet më të rëndësishëm në futbollin shqiptar, një nga futbollistët më të mirë në vitet 2012-16. Sulmuesi nigerian zbarkoi në Ballsh në janar të vitin 2012, pas aktivizimit me ekipet e akademisë, Agim Canaj e ftoi me ekipin e parë ku bëri dhe debutimin e tij në Superligë në moshën 17-vjeçare. I dobët në pamje të parë por i shpejt dhe me shumë talent në këmbë, 14 ndeshje i mjaftuan që klubet më të rëndësishme të Superligës të nisnin një betejë të vërtetë ligjore për të siguruar kartonin e tij.

Olayinka firmoi një kontratë me Kukësin në vitin 2013 por nuk zhvilloi asnjë ndeshje, vetëm fotot zyrtare, pasi ndërmjet tyre u fut Skënderbeu. Çështja përfundoi në FIFA ku qeveria e futbollit botëror i dha të drejtë Kukësit me nigerianin i cili nuk mund të luante për 6 muaj në asnjë kompeticion të rëndësishëm të FIFA-s. Pas përfundimit të dënimit, Olayinka u bashkua me Skënderbeu ku për 3 vite ishte lojtari më i mirë i ekipit korçar, shpesh u diskutua edhe mundësia që të merrte pasaportë shqiptar për të luajtur me Kombëtaren por kjo nuk ndodhi kurrë. Në 2016, Olayinka u transferua te Genk në Belgjikë për një shifër rekord, 1 milion euro, duke u shndërruar në lojtarin më të shtrenjtë në historinë e futbollit shqiptar. Pas aventurës me Genk, Dukla Praga dhe Zullte, Olyainka përfundoi te Slavia e Pragës për të heshtur së fundmi dhe mitikun “San Siro”, një histori suksesi dhe një shembull i qartë për çdo klub shqiptar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb